Kursi Opozitar i AAK-së Nuk Gjen Mbështetje

Para dy ditësh, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka kërkuar që bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë të përmbyllen, pasi që siç ka thënë ai, procesi ka degraduar dhe po mbahen takime të cilat vetëm po përsëriten.

Deklarimi i tij vjen pas deklarimit të Haradinajt se dialogu ka shteruar. Ai tha se megjithatë marrëveshja e 19 prillit dhe marrëveshjet tjera kanë krijuar njëfarë terreni të përshtatshëm që duhet ditur të menaxhohet, por fillimisht duhet zbatim.

“Duhet të themi që është shteruar dialogu. Faleminderit. Dojmë me i zbatu këto që kemi ra dakord”, tha Haradinaj në një intervistë dhënë RTK-së më 25 dhjetor 2013.

Këtë deklaratë kritikuese Haradinaj e dha pas lansimit të asaj se përkrahja që i kishte dhënë Hashim Thaçit i kishte shkaktuar AAK-së humbje në zgjedhjet lokale.

Megjithatë zyrtarë të kësaj partie tash mohojnë që AAK-ja dëshiron të largohet nga dialogu, por vazhdojnë ta kritikojnë atë.

 Besnik Tahiri nga kjo parti, thotë se Aleanca nuk kërkon që të tërhiqet nga dialogu dhe nuk do ta tërheqë anëtarin e saj Blerim Shalën nga pjesëmarrja në dialog, por kërkon që procesi i bisedimeve të ketë përfitime edhe për qytetarët e Kosovës, sepse deri më tani vetëm Serbia ka përfituar nga ky proces.

“Krejt çfarë po kërkon AAK-ja është që ky proces duhet të ketë ndikim direkt ne te mirën e qytetarëve të Kosovës, e nga kjo te mos abuzojë Serbia, e te ketë përfitimet e veta strategjike në raport me Bashkimin Evropian”,  thotë Tahiri.

Sipas tij, Kosova nuk ka fituar asgjë nga ky dialog.

“Përfitues kanë qenë qytetarët e Republikës së Serbisë. Ne kërkojmë zbatueshmëri dhe ky dialog të ketë impakt te qytetarët e Kosovës”, thotë ai.

Analistët vendorë e kanë parë ndryshimin e kursit të AAK-së si përpjekje për t’u faktorizuar para zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen sivjet, pas rënies së votuesve të kësaj partie në zgjedhjet lokale.

Por Tahiri mohon se ndryshimi i qëndrimit të zyrtarëve të AAK-së ka të bëjë me zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen vitin tjetër.

Ai thotë se Aleanca e ka përkrahur këtë proces për të mirën e interesit nacional dhe jo atij partiak.

“Po të kishim bërë vlerësim sa i përket zgjedhjeve ne do të ishim tërhequr para zgjedhjeve. Ne e kemi ditur edhe atëherë dhe e dimë dhe tani se përfshirja e Aleancës në këtë proces nuk sjell përfitime në aspekt të votës”,  thotë Tahiri.

Ai mendon se përkrahja që u kanë dhënë bisedimeve nuk u ka humbur vota, por as nuk u ka fituar ndonjë.

Në anën tjetër kolegu i opozitës, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës,  thotë se deklaratat e anëtarëve të AAK-së janë deklarata për fushatë elektorale.

“AAK-ja ka qenë përkrahëse absolute e këtyre bisedimeve”, thotë Gashi.

AAK-ja ka përkrahur dialogun Kosovë – Serbi edhe para lirimit të liderit të saj nga Tribunali i Hagës në fund të nëntorit 2012. 

Por edhe Gashi ka mendime të përafërta rreth rezultateve të dialogut dhe  ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj këtyre bisedimeve.

“Mendoj që Qeveria e Kosovës nuk ka pasur program të qartë se çfarë ka dashur nga negociatat. Rrjedhimisht i janë bërë shumë dëme vendit.  Qeveria nuk ka objektiv të qartë se çfarë dëshiron me arritë dhe cili është interesi i Kosovës. Kjo po e cenon territorin e vendit”, mendon Gashi.

I pyetur nëse procesi i bisedimeve duhet të përfundojë, Gashi thotë se sa më shumë që zgjatet ky proces, aq më shumë dëme u bëhen institucioneve të vendit.

“Ky proces nuk guxon te shkojë në pafundësi, sepse sa më shumë që zgjatet është në dëm të institucioneve të vendit”, thotë Gashi.

Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, që vazhdimisht ka kundërshtuar dialogun me Serbinë, beson se thirrjet e AAK-së janë të vonshme. Ai rikujton se Vetëvendosje gjatë tërë kohës u ka bërë thirrje partive që të bojkotojnë këto bisedime.

 “Deklarimet e AAK-së nuk janë unike dhe të artikuluara mirë. Bëhet thirrje për ndërprerje, e njëkohësisht dhe për implementimin e rezultateve te marrëveshjes”, thotë Selimi.

Ai thotë se nuk duhet të bëhet thirrje që këto marrëveshje të realizohen në praktikë, sepse janë të dëmshme për Kosovën.

“Të gjitha marrëveshjet qe kanë ardhur nga Brukseli mes Kosovës e Serbisë janë të dëmshme për Kosovën.  Nuk besoj se AAK-ja duhet të thërriste qe ky dëm të bëhet real për Kosovën”, thotë ai.

Sipas Selimit është vonë të thirret  për përmbyllje të dialogut.

“Tani çfarë mund të bëhet është thirrja për mosimplementimin e marrëveshjeve të këqija me Serbinë”, thotë Selimi.

Analisti Ardian Arifaj, pret ditë edhe më të vështira për dialogun Kosovë-Serbi, për shkak të zgjedhjeve që pritet të ndodhin.

Sipas tij për shkak të zgjedhjeve në BE, në Kosovë, e  siç thotë ai, sipas të gjitha gjasave edhe në Serbi, vëmendja do të jetë gjetiu.

“Vëmendja do të përqendrohet tek dialogu dhe shtyrja e tij përpara, por palët do të marrin qëndrime sa me radikale, si ne Prishtinë  ashtu edhe në Beograd. Kjo do të reflektohet negativisht edhe në procesin e arritjes se marrëveshjeve te reja, por edhe në mundësitë që të implementohet ajo që është arritur deri tani”, thotë Arifaj.

Ai është i pajtimit që Serbia po abuzon me dialogun, sepse sipas tij, Serbia nuk ka vullnet politik për të implementuar marrëveshjet.

“Nëse do të ketë zgjedhje në Serbi, e po vjen era zgjedhje atje, atëherë vetëm mund të presim që pozicioni i Serbisë do të ashpërsohet edhe më shumë, dhe kështu më pak do të ketë gjasa për implementimin e marrëveshjes”,  thotë Arifaj.

Bekim Çollaku këshilltar i lartë politik i kryeministrit të Kosovës dhe pjesëmarrës në dialogun Kosovë –Serbi, i ka thënë portalit lajmi.net, se deklaratat e AAK-së janë të ngutshme dhe të paanalizuara mirë.

Sipas tij, dialogu nuk ka degraduar dhe rezultatet pozitive tanimë janë të prekshme.

“Zgjedhjet lokale të mbajtura në tërë territorin e Kosovës janë rezultat historik, që askush nuk mund ta mohojë. Për më tepër, janë shuar në masë të konsiderueshme strukturat ilegale të Serbisë që për trembëdhjetë vjet kanë vepruar në Kosovë dhe ka filluar integrimi i tyre në strukturat dhe institucionet legale të Kosovës”, ka thënë Çollaku.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës, ai i Serbisë dhe baronesha Ashton që ndërmjetëson dialogun, janë emëruar si kandidatë për çmimin Nobel të Paqes për vitin 2014 nga dy kongresistë të çështjeve shqiptare dhe dy të tjerë të çështjeve serbe.

Si motiv i propozimit është marrë marrëveshja e 19 prillit për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë, e mbërritur në Bruksel, e që nga bashkësia ndërkombëtare është quajtur marrëveshje historike.