Shkilen Procedurat në Gjykatë

Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, në seancën kundër të pandehurit Beki Vrajolli, më 21 nëntor e që akuzohej për vepër penale, si gjykatësi po ashtu edhe prokurori nuk përfillin procedurat gjyqësore.

Gjykatësi Abdullah Ahmeti, i cili udhëhiqte seancën për konfirmim të aktakuzës, nuk e ka udhëzuar të pandehurin për të drejtat e tij, siç kërkohet nga neni 314 i Kodit të Procedurës Penale. 

Sipas këtij neni, gjyqtari duhet ta udhëzojë të pandehurin për të drejtat e tij, për të mos u deklaruar në çështjen e tij, ose të mos përgjigjet në pyetje, as të pranojë fajësinë, të mbrohet vetë ose nëpërmjet ndihmës juridike, sipas zgjidhjes së tij. 

Ndërsa, sekretarja juridike në këtë seancë kishte shënuar në procesverbal se i pandehuri u udhëzua me të drejtat e tij. 

Shkelja e dytë në këtë seancë ishte kryer nga prokurori Fahri Nuhiu. Ky i fundit nuk i kishte lexuar aktakuzën të pandehurit për të cilën obligohet ligjërisht.  

Edhe për këtë, procesverbali konstaton se prokurori ia lexon të pandehurit aktakuzën gjë që në fakt nuk është bërë leximi verbal i aktakuzës nga prokurori duke shkelur nenin 314, paragrafi 3 i KPPK’së.

Në këtë seancë i pandehuri e pranoi se e ka kryer veprën penale ‘mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve’. 

Prokurori popozoi që aktakuza të konfirmohet, sepse ka prova të mjaftueshme dhe është e bazuar. Edhe avokati mbrojtës i të pandehurit nuk e kundërshtoi konfirmimin e aktakuzës me që i pandehuri e pranoi se e ka kryer veprën penale.

Gjykatësi  në fund merr aktvendim me të cilin konfirmohet aktakuza ndaj të pandehurit.