Zhvillim i Qëndrueshëm me Edukim për Ambientin

Në kuadër të projektit pesëvjeçar  për vitet  2012 – 2016 “Arsimi për Zhvillim të Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor: Duke e kthyer Arsimin në Veprim për të Ardhme të Qëndrueshme”, Qendra Rajonale për Mjedis në Kosovë ka lansuar Marrëveshjen e Mirëkuptimit  të arritur ndërmjet MASHT-it, MMPH-së dhe REC-it, për realizimin e këtij projekti.

Projekti pesëvjeçar  i implementuar nga Qendra Rajonale për Mjedis  dhe i sponsorizuar nga Fondi i Vëllezërve Rockefeller, ka por qëllim futjen në kurrikulën e programit të arsimit të ulët të një materieje të  veçantë, që ka për qëllim edukimin mbi ambientin.

Kjo iniciativë thirret në rëndësinë e Arsimit për Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Rajonale për Mjedis, Marta Szigeti Bonifert,  duke folur për rëndësinë e implementimit të këtij projekti, tha se edukimi është mjet vendimtar për ndryshimin e trendëve dhe të ardhmes.

“[…]Arsimimi do të jetë një mjet vendimtar për ne ta ndryshojmë trendin dhe të ardhmen po ashtu”, tha ajo.

Shpëtim Rudi zëvendësministër në Ministrinë  e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se kjo ministri do të mbështesë në vazhdimësi bashkëpunimin për projekte me interes, siç janë ato për ngritjen e vetëdijes ekologjike.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është e gatshme për të vazhduar bashkëpunimin në zhvillimin dhe implementimin e projekteve ekzistuese si dhe është e hapur për projekte të reja me interes për çështje të ndryshme dhe po ashtu edhe në ngritjen e vetëdijes ekologjike të nxënësve mësimdhënësve, prindërve, grupeve të interesit dhe qytetarëve në përgjithësi”, tha Rudi.

Ndërkaq, Drita Kadriu nga Minitria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) u shpreh se iniciativa e ndërmarrë në kuadër të këtij projekti do t’i ndihmojë zhvillimit të qëndrueshëm.

“Besojmë shumë që hapat që do të vijnë do t’i kontribuojnë zhvillimit të qëndrueshëm me theks të veçantë arsimit për zhvillim të qëndrueshëm”, tha Kadriu.

Haki Abazi,  Shef i Programit të Ballkanit Perëndimor për Fondin e Vëllezërve Rockefeller, tha se Zhvillimi i Qëndrueshëm është një prej shtyllave kryesore të punës dhe të misionit në angazhimin e kësaj organizate në Ballkanin Perëndimor.

” […] E di që Kosova është bombarduar me koncepte pafund të zhvillimit të qëndrueshëm, por që zhvillimi asnjëherë nuk po vjen e në fakt po shpresojmë që gjenerata e re ka me bë më shumë punë, sesa që ka më bë fjalë për atë po tentojmë që t’i zamë aty, në fakt ku është ndërtua vizioni i tyre për të ardhmen dhe kjo është arsyeja e vetme pse fondacioni ynë ka vendosë në fokus zhvillimin e qëndrueshëm […]”, tha Abazi.

“Për zhvillimin është pa që të niset prej shkollave edhe aty është pa përkrahja e Ministrisë së Arsimit, bashkë me REC-in që tentohet që fëmijët të mos vizatojnë më fabrika me tymtarë, po fëmijët të kuptojnë që në fakt kthimi te toka, kthimi te prodhimet tradicionale, kthimi te mbrojtja e ambientit të jetë forma e të menduarit se si zhvillimi duhet të shihet”, shtoi ai.