Një Muaj Paraburgim për Pronarët e Lojërave të Fatit

Arben e Astrit Krasniqit, pronarëve të dyqaneve të lojërave të fatit “Apex Games” dhe “Play 4 win” që gjenden anembanë Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar të martën masën e paraburgimit, prej 30 ditësh.

Masa e paraburgimit u caktua, pas propozimit të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës nga radhët e EULEX-it, nën dyshimin për veprat penale, krim i organizuar dhe zhvatje.

Vëllezërit Krasniqi janë arrestuar të hënën, së bashku me punëtorin e tyre Arben Nezirin, në një aksion të policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës.

Caktimin e masës se paraburgimit e konfirmon edhe zyra e EULEX-it përmes një komunikate dërguar mediave.

Në këtë komunikatë është sqaruar se policia e EULEX-it së bashku me policinë e Kosovës ka bastisur 7 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Pejë, lidhur me rastin.

Mbrojtësi i Arben Krasniqit, avokati Arianit Koci i tha Gazetës Jeta në Kosovë se prokurori nuk u ka dhënë shumë informata lidhur me hetimet që po i zhvillon.

Ato informata që i kishte pranuar, avokati Koci i quajti “të paqarta dhe të zbehta”, ndërsa pretendimet e prokurorit tha se janë “hipoteza të pabazuara”.

Koci tha se “[prokurori] ka thënë se ka dëshmitarë të mbrojtur, por ne nuk i kemi ato dëshmi, e siç po shihet ata janë konkurrentë në këtë biznes, e qëllimi i tyre është që t’u shkatërrojnë biznesin”.

Astrit Krasniqi para disa muajsh ka hequr dorë nga financimi i klubit pejan të futbollit “Besa”, të cilin e kishte marrë në financim në fund të viti 2012.