Portalet Ligjërisht Përgjegjëse për Komente

Një vendim gjyqësor i publikuar më 10 tetor nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg, që bën përgjegjës portalet për publikimin e komenteve, është precedenti i parë, nëse mediumi nuk ankohet, që mund të detyrojë shumë media online të ndryshojnë politikën rreth botimit të komenteve fyese e kërcënuese të lexuesve. 

Deri më tani në Europë nuk ka ekzistuar një praktikë unike, nëse përgjegjësia ligjore për komentet e lexuesve ishte e publikuesit, ose e autorit të komentit.

“Ende nuk është arritur një marrëveshje e përbashkët lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë e individëve në internet” thuhet në udhëzuesin për vetërregullimin e mediave sociale, të botuar nga OSBE-ja këtë vit.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur që gjykatat në Estoni nuk bënë shkelje të nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, kur dënuan portalin Delfi me 320 euro për publikimin e komenteve fyese dhe ofenduese.

Më 2006 portali Delfi, që është një ndër portalet më të mëdha të lajmeve në Estoni, botoi një shkrim me të cilin analizonte vendimin e një kompanie që kishte ndryshuar rrugën që bënin anijet për të arritur në disa ishuj. Vështirësitë gjatë zbatimit të këtij vendimi kishin bërë që të shtyhet shfrytëzimi i një linje të anijeve që ofronte çmime më të shpejta dhe të lira. 

Shumë lexues kishin postuar komente fyese dhe kërcënuese për kompaninë e anijeve dhe pronarin e saj. 

Për këtë arsye, po atë vit më 2006, pronari i kompanisë së anijeve kishte paditur portalin Delfi në Estoni, gjykata e të cilit shtet kishte vendosur në favor të tij. 

Sipas gjykatës estoneze, komentet ishin fyese dhe Delfi mbante përgjegjësi për publikimin e tyre. Pronari i kompanisë së anijeve ishte kompensuar me 320 euro për dëmin. Ankesa e Delfi-t në Gjykatën Supreme të Estonisë po ashtu kishte qenë e pasuksesshme.

Portali Delfi kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, nën arsyetimin se shteti i Estonisë ka shkelur të drejtën e shprehjes së lirë që rregullohet me nenin 10 të konventës europiane për të drejtat e njeriut, kur vendosi ta bënte përgjegjës për komente.

Derisa shqyrtonte rastin, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, shtroi para vetes pyetjen nëse shteti ka të drejtë të ndërhyjë në të drejtën e lirisë së shprehjes për të mbrojtur reputacionin e një personi dhe mori parasysh katër elemente, kur vendosi nëse mediumi ka përgjegjësi për komente.

Së pari, sipas gjykatës komentet kane qenë fyese, shpifëse dhe kërcënuese dhe duke pasur parasysh natyrën e shkrimit, media është dashur të ndërmarrë masa preventive që të evitojë përgjegjësinë për dëmtimin e reputacionit të individëve. 

Sipas gjykatës, nuk mjafton që mediumi të shënojë në portal se nuk mban përgjegjësi për komente. Portali Delfi dështoi të largonte komentet fyese, përmes sistemit automatik që përdorte dhe nuk reagoi si duhet kur lexuesit informonin mediumin përmes një butoni që komenti ishte fyes.

Bërja përgjegjëse e portalit Delfi nuk ishte e vështirë edhe për faktin se komentet ishin anonime dhe nëse pronari i anijeve do të donte të tentonte t’i padiste komentuesit, identifikimi i tyre do të ishte i vështirë. Andaj kjo zgjidhje ishte më “praktike” për GjNDNj. 

Gjykata po ashtu ka marrë parasysh edhe përfitimin financiar që portalet kanë, duke lejuar komente të tilla.  

Në fund, gjykata konsideroi edhe pasojat që Delfi kishte pësuar nga ai vendim e që ishte vetëm një gjobë prej 320 eurosh.

Aktualisht portalet në Kosovë rregullohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës që shqyrton edhe ankesat për komentet online.