Fushata Ndryshon Raportet e Thaçit me Punëtorët e Fabrikës së Tubave

Punëtorët e Fabrikës së Tubave, sipas kryesindikalistit Ali Azemi deri më tash kanë mbajtur  mbi 100 protesta. Disa prej tyre edhe para qeverisë, duke kërkuar zbatimin e vendimit të kushtetueses, pa pasur sukses.

Por lajmi i mirë u ka ardhur kur kryeministri Hashim Thaçi ka dalë për fushatë zgjedhore në Ferizaj.

“Avokati më i madh i juaji jam unë, dhe kam punuar për juve edhe pa u takuar me juve”, ka thënë kryeministri Thaçi gjatë takimit të tij me punëtorët e kësaj fabrike në fushatën elektorale të zgjedhjeve komunale 2013 në Ferizaj.

Madje, Thaçi u ka premtuar punëtorëve të Fabrikës së Tubave se do ta zbatojë çdo të drejtë që u takon, duke i harruar vitet e kaluara prej vendimeve obliguese të lëshuara nga ish-Gjykata Komunale e Ferizajt dhe ajo Kushtetuese.

“Çdo e drejtë që juve ju takon, ne do ta zbatojmë. Unë do ta respektoj ligjin, do t’i respektoj procedurat”, u ka thënë Thaçi punëtorëve të Fabrikës së Tubave.

I pyetur nga një punëtor se kur do të zbatohet e drejta e tyre kryeministri është përgjigjur: “edhe më shpejt sesa që ti mendon”.

Kushtetuesja pati vendosur se vendimi final dhe i detyrueshëm i Gjykatës Komunale në Ferizaj duhet të ekzekutohet nga autoritetet kompetente, në veçanti nga Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, si pasardhëse ligjore e AKM –së, deri më 17 dhjetor 2011.

“Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit duhet të dorëzojnë në Gjykatë, brenda një periudhë gjashtëmujore, informata lidhur me masat e ndërmarra për ekzekutimin e këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Asnjëra prej dy institucioneve nuk ka marrë masa për ekzekutimin e këtij vendimi.

Gjykata Komunale kishte vendosur në vitin 2002 që punëtorët kanë të drejtë të kompensohen.

Vendimi parashihte që 900 punëtorë të kompensoheshin me një shumë totale prej 26 milionë eurosh për shkak të largimit të padrejtë nga puna për një periudhë dhjetëvjeçare prej vitit 1989 deri më 1999.

Azemi pohon se punëtorët nuk kanë pranuar nga AKP-ja ofertën që të marrin 20 përqindëshin që u takon nga shitja e ndërmarrjes.

Sipas tij, fabrika është shitur me ’’spin off special’’ për  3.6 milionë, ndërsa vlera  e kompensimit që kërkojnë punëtorët është shumëfish më e lartë dhe peshon rreth 26 milionë euro.

Fabrika e Tubave të Çelikut në Ferizaj IMK, ishte privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe ishte blerë nga një qytetar ferizajas.

Punëtorët pohojnë se blerësi  Arian Hasani nuk ka pasur biznes dhe as të holla për ta bërë privatizimin e fabrikës.

Hasani , sipas tyre, ia kishte shitur aksionet firmës “Mabetex”, pronar i së cilës është Selim Pacolli, vëllai i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behxhet Pacolli.