Fushata e Pal Lekajt Fillon Një Ditë Përpara

Posteri i Pal Lekajt që bën thirrje të rrumbullakësohet numri i tij, është shfaqur në hyrje të Gjakovës të mërkurën pasdite, një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore.

Pal Lekaj është kandidat i AAK-së për kryetar të kësaj komune, ndërsa e mban postin e kryetarit që nga viti 2007.

Qazim Mehmeti, shef i shtabit zgjedhor të AAK-së i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nuk është në dijeni për vendosjen e posterëve gjatë ditës së mërkurë dhe se kompania që ka marrë përsipër vendosjen e posterëve ka qenë e njoftuar që ata duhet të vendosen pas mesnatës.

Ai më tutje ka kërkuar nga gazeta informata të sakta se në cilën rrugë ndodhej posteri i Lekajt duke shtuar se do të urdhërojë kompaninë në fjalë ta mbulojë atë deri pas mesnate.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), thotë se në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP) nuk është përfshirë sanksionimi i fushatës, para fillimit të fushatës zyrtare të zgjedhjeve, e që nënkupton se PZAP-i nuk mund të caktojë dënime lidhur me këto aktivitete që po bëjnë subjektet politike në këtë kohë.

“PZAP-i, mund te caktojë dënime për veprimet e ndaluara sipas nenit 33. të LZP-se vetëm gjatë periudhës së fushatës zyrtare zgjedhore”, thotë Desku.