Nuk Përdoret Fabrika e Re e Ujit (TV)

Një mbishkrim me fotografi, në hyrje të qytetit të Klinës, u uron të gjithë qytetarëve të kësaj komune mirëseardhje në qytetin e gjashtë lumenjve, por qytetarët e kësaj komune vazhdojnë të pinë ujë të pafiltruar, nga tubat e ujësjellësit komunal.

Fabrika e re e ujit, e paraparë për të furnizuar me ujë të pijes 40 mijë banorë, e filluar para dy vjetësh e gjysmë, është përfunduar që në shkurt, por nuk përdoret për arsyen se komuna u ka mbetur borxh kompanive ndërtuese të saj rreth 300 mijë euro.

Zeqir Morina, drejtor i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Klinës, thotë se vlera e këtij projekti është rreth 1.7 milion euro.

“[Projektin e fabrikës] me mjete vetanake e ka nisë komuna dhe pas kërkesave në drejtim të qeverisë, qeveria na i ka lëshu edhe 400 mijë euro”, thotë Morina.

Vonimin e pagesave nga ana e komunës për kompaninë ndërtuese, ai e ka vlerësuar si pengesë teknike.

Kurse Rasim Millaku drejtor i inspektoratit të Komunës së Klinës, mbetjen borxh ndaj kompanive ndërtuese të fabrikës së ujit, e arsyeton me siç e quan “ngulfatjen e buxhetit të Kosovës”, me dërgimin  e tij në Kushtetuese.

Në fillim të muajit gusht të këtij vitit deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Albana Fetoshi dhe Visar Ymeri e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për buxhet, për ta vlerësuar se a e shkel kushtetutën, pasi përmban Fondin Zhvillimor për Veriun.

Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj shpalli të pranueshme parashtresën e VV-së.

Drejtori i Inspektoratit në komunën e Klinës thotë se kësti i fundit, i papaguar nga komuna për fabrikën e ujit ka vlerën e mbi 300 mijë eurove, ndërsa komuna sipas tij ka investuar një milion e 100 mijë euro për fabrikën.

Rezervuarët e fabrikës së re të ujit në Klinë janë të mbushur, por qytetarët nuk kanë nisur ta shfrytëzojnë ujin e tillë që fabrika do ta marrë nga Drini i Bardhë.

“Prej mas luftës gjendja e ujit të pijes në Klinë është e njëjtë”, shpjegon drejtori i Mbrojtjes së Mjedisit Zeqir Morina.

Inxhinieri i ujërave Fran Paloka, bashkënërtues i fabrikës së ujit, thotë se kompanitë holandeze që ngritën fabrikën, nuk po lejojnë që ajo të shfrytëzohet, sepse frikohen se nuk do të marrin 300 mijë eurot e këstit të fundit.

Sipas Palokës, uji që aktualisht përdorin për pije qytetarët e këtij qyteti, përmban mangan, një element shumë të rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

“Ai element kimik kur e shikon është si një lloj i shigjetave mikroskopike. Mangani kur futet nëpër fijet e tekstilit, nëse diçka është e bardhë dhe e pastron, kur teret merr ngjyrë të murrme. Paramendoni se çka bën në organizmin tonë”, thotë Paloka.

Agron Tigani kryeshef ekzekutiv i kompanisë rajonale te ujesjellesit “Hidrodini”, ne Pejë, ujin e pijshëm të Klinës e vlerëson të kënaqshëm.

“Për ujin në Komunën e Klinës pas testimeve që janë bërë, del se ne nuk kemi problem me sasi, por me cilësi dhe sipas analizave të Institutit të Shëndetit Publik del se uji ka mangan dhe nitrite në kufij të lejuar”, thotë Tigani.

Palokën për cilësinë e ujit të Klinës e shqetëson edhe radioaktiviteti, pasi nga Kijeva deri në Klinë gjatë luftës janë përdorur shumë predha me uranium të varfëruar. Paloka thotë se radioaktiviteti ka depërtuar nëpër ujërat nëntokësorë.

Ndryshe nga Paloka dhe Tigani, për ujin e Klinës flet drejtori i Inspektoratit komunal, Rasim Millaku.

Ky ujë nuk kisha me thanë që gjithmonë është i papijshëm, po duke pas parasysh që gjatë reshjeve është i pamundshëm përpunimi i tij, ka dalë i rekomandum nga Instituti i Shëndetit Publik si i papijshëm, për qytetarët”, thotë Millaku.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ky institut, në bazë të mostrave që ka marrë i ka rekomanduar komunës së Klinës pastrimin e rrjetit të ujësjellësit, sepse në gjendjen e tashme uji nuk është i pijshëm.

Palokës i vjen keq nëse ujin aktual të papërpunuar e përdorin fëmijët e Klinës, por mendon se brenda dy javësh çështja e pagesës do të zgjidhet dhe qytetarët mund ta përdorrin ujin e përpunuar në fabrikën e re.

LDK-ja opozitare dhe organizata joqeveritare “Koha” thonë se historia e investimeve në ujin e Klinës është e gjatë dhe e dështuar.

Ish-kryesuesi i Kuvendit komunal të Klinës dhe kryetari i LDK-së në këtë komunë, Fadil Gashi, tregon për investimet e kryera në këtë fushë, derisa ai dhe partia e tij ishin pjesë e pushtetit.

“Para dy vjetësh si kuvend komunal kemi ndarë 700 mijë euro për ujësjellës dhe vitin e kaluar 800 mijë euro që i bie 1.5 milion euro”, thotë Gashi.

LDK-ja ishte në koalicion me PDK-në në Klinë deri para tre muajsh kur ky koalicion u prish, ndërsa PDK-ja vazhdon ta qeverisë komunën, e bashkuar me nje grup këshilltarësh të larguar nga AAK-ja.

Labinot Krasniqi nga organizata joqeveritare “Koha” përmend dy projekte të mëhershem të dështuara komunale, për të cilat u shpenzuan 3 milionë e 30  mijë euro.

Krasniqi akuzon udhëheqjen komunale se ka devijuar paratë e përcaktuara për furnizim me ujë. Të njëjtën gjë e thotë edhe Fadil Gashi, për 800 mijë eurot e dhëna vitin e kaluar nga komuna për përmirësimin e cilësisë së ujit.

Zyrtarët komunalë nuk i janë përgjigjur kësaj akuze për gazetën Jeta në Kosovë.

“Është e dhimbshme dhe e papërballueshme pagesa me të njëjtin çmim e ujit të papërdorshëm nga ana e qytetarëve të Klinës”, thotë Labinot Krasniqi.