Ministria e Ambientit Urdhëron Rrënime në Prevallë

Ministria e Mjedisit ka nxjerrë një urdhër të hënën, duke kërkuar nga kompania “Is Company” dhe pronarët që kanë objekte montazh në kampin veror në Prevallë, që t’i largojnë ato në afat prej 15 ditësh.

Ministria kërkon po ashtu që të rrënohen edhe ndërtimet përcjellëse në kamp, të bëhet pastrimi i zonës nga mbeturinat ndërtimore dhe të rehabilitohet sipërfaqja e degraduar natyrore, sipas “peizazhit ekzistues në ngastrat 182, 2371, 2354, 2355, etj, të Zonës Kadastrale Gornjasellë”.

“Në rast se “Is Company” nuk i largon objektet brenda afatit të caktuar, MMPH-ja do t’i rrënojë të gjitha objektet dhe shpenzimet do t’i bartin kompania dhe pronarët e objekteve”, thuhet në kumtesën për shtyp të ministrisë.

Ministria thotë se kanë nisur në Prevallë me objektet që nuk kanë leje të ndërtimit, ku vetëm në kampingun veror janë 60 deri në 80 objekte, pronë e ndërmarrjes private “Is Company” dhe disa pronarëve të tjerë. 

Ministri Gashi ka krijuar një task forcë që do të merret me çështjen e Prevallës.

“Në njërën anë po evidentohen ndërtimet që nuk kanë leje, e që po e nisim me rrënimin e tyre dhe nga ana tjetër, jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit të marrë nga Komuna e Prizrenit për të gjitha ndërtimet që kanë leje, duke i krahasuar me ato që tashmë janë ngritur në terren”, tha Kreshnik Berisha, këshilltar i ministrit dhe kryesues i task forcës për Prevallë.

Berisha tha se numri i objekteve ilegale brenda dhe jashtë fshatit turistik në Prevallë sillet nga 30 deri në 40.

Pronari i “Is Company”, Ismet Bajraktari, thotë se nuk është në dijeni për këtë urdhër pasi që nuk ka asgjë zyrtare nga ministria. 

Ai thotë se në vitin 2006 ka fituar tenderin nga komuna e Prizrenit për mirëmbajtje të kampingut veror në Prevallë.

Bajraktari shtoi se në këtë kamp janë më shumë se 60 objekte, për të cilat nuk ka njohuri nëse kanë tejkaluar kushtet e ndërtimit.

“Ndoshta ka tejkalime”, i tha Bajraktari Gazetës Jeta në Kosovë. “Mirëpo, janë 28 objekte që janë ndërtuar më herët dhe janë pa plan, por që gjenden në zonën e kampingut”, tha ai. 

 

Kampingu veror në Prevallë

Ai tha se kur e ka fituar tenderin, kompania e tij ka pasur për obligim instalimin e rrymës, ujit dhe ndërtimin e gropave septike.

“Unë kam objektin tim dhe është sipas projektit”, tha ai, duke shtuar se objektet në fjalë janë brenda planit të komunës, që përfshijnë 30 metra katror.

Bajraktari thotë se ky urdhër që vjen është ad-hoc, sepse “për 15 ditë është e pamundur të realizohet [ai]”.

“Përndryshe, njerëzit kanë investuar nga 20 deri në 30 mijë euro për këto objekte dhe mos të harrojmë se këta janë këtu për sëmundje të veta”, tha Bajraktari.

Fillimisht, ministri i Mjedisit Dardan Gashi mori një vendim për Prevallën më 3 maj 2013, kur urdhëroi ndalimin e të gjitha ndërtimeve në fshatin turistik në Prevallë, rreth 30 kilometra nga Prizreni.

Në vendimin e Gashit thuhej se në Prevallë ishin tejkaluar kushtet dhe kriteret për ndërtim si dhe nuk ishte respektuar një udhëzues i kësaj ministrie për mënyrën e zbatimit të planit urban për këtë zonë.