17 Puset e Komunës për Gjelbërimin e Prishtinës

I konsideruar si një ndër qytete më të ndotura në kontinent, Prishtina nuk mund të mburret as me hapësira të gjelbëruara, por  në përpjekje për ta ndryshuar këtë gjë, komuna ka dhënë 50 mijë euro për hapjen e 17 puseve për ujitje të hapësirave të gjelbëruara dhe fidaneve.

Janë gjithsejt 830 metra thellësi të hapura në fazën e parë dhe 580 metra në fazën e dytë, me thellësinë më të madhe prej 150 metrash, ndërsa më të cektën prej 42 metrash.

Kontratën për shpimin e këtyre puseve e ka fituar kompania “Komplex” nga Ferizaj.

Sipas Agim Gashit, drejtori i Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prishtinës, në të gjitha pikat uji është i mjaftueshëm, kurse fazë tjetër e këtij projekti mbetet edhe vendosja e pompave, të cilat do të kushtojnë rreth 20 mijë euro, por që nuk është e sigurt nëse do të arrihet që kjo kosto t’i mbulojë të gjitha pikat në këtë vit.

Këto puse janë hapur kryesisht në zonat më të frekuentuara të Prishtinës, dy prej tyre në oborrin e Hortikulturës, në lagjen Dardania, në Ulpianë, në Kodrën e Diellit, si dhe një pus në oborrin e Komunës së vjetër të Prishtinës.

Por, asnjë pus nuk është hapur në Kodrën e Trimave, në Kolovicë, në lagjen e Vreshtave si dhe në Sofali.

Sipas Gashit, në sezonin e vjeshtës do vazhdojë mbjellja e drunjve. Do të mbillen 1 mijë e  500 drunj, në përpjekje për siç ka thënë ai shndërrimin e Prishtinës “nga një kryeqytet i betonuar në një kryeqytet të gjelbëruar”.

“Hapësirë gjelbëruese me 93 mijë metra katrorë, çdo lagje do ta ketë parkun e vet”, thoshtë në spotin e tij elektoral Isa Mustafa për zgjedhjet lokale të vitit 2009.

Por nga një raport i Institutit GAP për qeverisjen në Prishtinë, i quajtur “Letërnjoftimi i Komunës së Prishtinës 2012”, del se 80 për qind e qytetarëve nuk janë të kënaqur me pamjen e qytetit dhe një ndër arsyet kryesore për këtë thuhet të jetë mungesa e hapësirave të gjelbëruara dhe mirëmbajtja e tyre.
 
Megjithatë ky raport, evidenton se gjendja e gjelbërimit është më e mirë se në vitin 2009, por ende larg synimeve të premtuara të  komunës.