Rasti i Segregacionit: Fëmijët me Vështirësi Numërojnë Deri në 20 (TV)

Drejtoria për Arsim e komunës së Gjakovës është paditur nga disa prindër të komuniteteve Romë, Ashkalinj dhe Egjiptianë, se në Shkollën Fillore “Mustafa Bakija”, në fillim të vitit shkollor 2012/2013 është krijuar një klasë e parë me 21 nxënës, 16 prej të cilëve të këtyre komuniteteve dhe 5 të tjerë të komunitetit shqiptar, mirëpo këta të fundit pas një kohe ishin transferuar në klasë të tjera me shumicë shqiptare dhe nxënësit e komuniteteve RAE kishin mbetur vetëm.

Pedagogu Izet Musaj tha para gjykatës se gjatë takimit që ka pasur me gjashtë fëmijët që janë në cilësinë e paditësit, në fund të muajit qershor, ka vërejtur se të gjithë shkruajnë dhe lexojnë me vështirësi, po ashtu sipas tij, me vështirësi ata numërojnë edhe deri në numrin 20.

Të njëjtën ditë pedagogu tha të ketë vizituar edhe shkollën ku tregoi të ketë vërejtur se ka banka te mjaftueshme, ka punime te nxënësve dhe mjete të ndryshme të konkretizimit, por jo në nivel të bollshëm.

Bahtir Troshupa, përfaqësues i palës së dëmtuar-paditëse, pyeti ekspertin e pedagogjisë se me çfarë lapsi kanë qenë të regjistruar fëmijët shqiptarë në paralelen në fjalë, ndërsa pedagogu u përgjigj se nuk e kishte vërejtur këtë gjë.

Këtu përfaqësuesi i palës paditëse aludoi në atë se nxënësit shqiptarë në këtë klasë kanë qenë te regjistruar me laps.

Troshupa tha se vetë personalisht ka parë se katër ose pesë nxënës te komunitetit shqiptar kanë qenë te regjistruar me laps grafik dhe të njëjtit më pas janë transferuar nëpër klasë me nxënës shqiptarë, ndërsa klasa që ka qenë e përzier, ka mbetur vetëm me nxënësit e komuniteteve RAE.

Bajram Zyberi, përfaqësues i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Gjakovës sa i përket regjistrimit me laps grafik, thotë se ky është një pretendim absurd dhe qesharak.

Ndërsa vlerësimin e pedagogut ai e cilësoi real

Seanca e ardhshme lidhur me këtë rast do të mbahet më 7 tetor 2013.