Fletëlajmërime Vdekjeje për Organizatorin e Paradës së Krenarisë

Para mbajtjes së paradës së parë të krenarisë në Mal të Zi, të paraparë për të mërkurën “fletëlajmërime vdekjeje” janë vendosur në qytetin  e Budvës për njërin nga organizatorët.

Njerëz të panjohur kanë vendosur fletëlajmërimet në disa vende. Ato përmbajnë fotografinë dhe emrin e Zdravko Cimbaljeviqit, drejtuesit të organizatës joqeveritare Progress që mbron të drejtat e komuniteteve LGBT.

Aleksandar Zekoviq nga organizata Progress lajmëroi që parada e parë e homoseksualëve në Mal të Zi do të mbahet të mërkurën përballë mureve të qytetit të vjetër të Budvës.

 “Është një rat i mirë për të testuar vullnetin politik, kapacitetin  e policisë dhe vetë komunitetet LGBT”, tha  Zekoviq.

Sipas organizatorëve qëllimi është shfaqja publike e këtyre komuniteteve në vend.

Zekoviq thotë se pjesëmarrja në këtë aktivitet e më shumë se tre personave do të thotë që parada ishte e suksesshme, por ai pret mbështetje nga sektori i organizatave joqeveritare, politikanët dhe mysafirët rajonalë.

Ministri për të Drejtat e Njeriut Suad Numanoviq lajmëroi se do ta përkrahë aktivitetin, ndërsa shtoi se qeveria do ta dërgojë një përfaqësues të vetin në paradë.

Zëvendësdrejtori i policisë Nikolla Janjuseviq tha që policia do të marrë të gjitha masat e sigurisë për pjesëmarrësit.

Parada e homoseksualëve në Mal të Zi e organizuar nga aktivisti Zdravko Cimbaljeviq duhej të mbahej më 31 maj 2011.

Ajo ishte shtyrë për shkak të sulmit ndaj dy homoseksualëve në Podgoricë, para se ngjarja të niste.

Ferhad Dinosha, atëherë ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve u akuzua për komente homofobike dhe u shkarkua në vitin 2011.

Në maj Këshilli Kundër Diskriminimit i Malit të Zi mbështeti një draft-strategji të përmirësimit të jetës së homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transseksualëve gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.

Një paradë tjetër është përcaktuar të mbahet në Podgoricë, gjatë tetorit.