Kryesuesi i Shpërfillur

Dy anëtarë të organit drejtues të Komisionit Kosovar të Konkurrencës nuk po e njohin autoritetin e ushtruesit të detyrës së kryetarit Ahmet Krasniqit.

Anëtarët që aktualisht drejtojnë Komisionin Kosovar të Konkurrencës Ahmet Krasniqi u.d i kryesuesit dhe Halit Shabani e Gani Asllani, raportuan të martën para Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik.

Krasniqi  ka thënë para  komisionit se nuk po përfillet autoriteti i tij si ushtrues detyre i kryesuesit të KKK-së.
 
Ai ka thënë se në këtë pozitë ishte emëruar me një vendim të drejtorit të mëhershëm të Komisionit Kosovar të Konkurrencës. Krasniqi ka deklaruar se ishte nënkryetar i Komisionit, deri në kohën kur Osman Ejupi ishte kryesues i KKK-së.

Sipas tij, pozita e ushtruesit të detyrës së kryesuesit i ka takuar me automatizëm, prej se Ejupi nuk ka vazhduar të punojë më si kryesues i Komisionit Kosovar të Konkurrencës.

Krasniqi ka deklaruar para parlamentarëve se nuk janë përfillur vendimet e tij nga anëtarët tjerë të komisionit, përfshirë edhe ato për zvogëlim të shpenzimeve operative, siç janë reduktimi i mbushjeve të telefonit, shpenzimet për pije si dhe kërkesa për dorëzim të çelësave të veturave zyrtare.

Po ashtu Krasniqi  ka thënë se po i bëhet presion stafit civil që të mos i kryejnë detyrat që delegohen nga vetë ai.

“Nuk ka funksionim normal në AKK” është shprehur Krasniqi para komisionit.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në nëntor të vitit 2008.

AKK-ja është organ i pavarur dhe ka përgjegjësinë dhe autoritetin për zbatimin e ligjit për konkurrencën dhe promovimin e konkurrencës ndërmjet ndërmarrjeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë.

Por, anëtarët tjerë të këtij Komisioni Gani Asllani dhe Halit Shabani kanë thënë para deputetëve se zgjedhja e Krasniqit në pozitën që mban është e kundërligjshme.

Sipas Asllanit dhe Shabanit nuk ishte marrë pëlqimi i tyre si anëtarë drejtues në kohën kur Krasniqi ishte emëruar si ushtrues detyre i kryetarit të Komisionit të Konkurrencës.

Gani Asllani ka thënë para komisionit se çështja e shpenzimeve nuk është problem mes tyre.

Asllani ka thënë se me gjendjen e krijuar po rrezikohet bashkëpunimi i autoritetit me institucionet e jashtme.

Ai ka përmendur se si Forumi Për Energji në Vjenë i kishte dërguar 10 e-mail-e Komisionit të Konkurrencës, por nuk kishte marrë përgjigje në asnjë prej tyre.

“E kam njoftuar për këtë Ahmet Krasniqin” tha Asllani duke shtuar se ai i kishte thënë se …”nuk ka njohuri për këtë punë”.

Krasniqi nuk bëri replikë ndaj këtij pohimi.

Edhe anëtari i tretë i këtij bordi Halit Shabani para komisionit ka thënë se problem i mosfunksionimit nuk janë shpenzimet-buxheti, por është kokëfortësia siç ka thënë ai, e Krasniqit, duke aluduar në vendimet e Krasniqit pa pëlqimin edhe të dy anëtarëve tjerë.

Shabani ka kërkuar nga komisioni që të gjendet zgjidhje për situatën e krijuar.
“Kërkoj që ju të ndërhyni”, i ka thënë komisionit Shabani.

Ndërkaq anëtarët e Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik… janë shprehur të shqetësuar me gjendjen e krijuar në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK).

Kryetari i Komisionit për zhvillim ekonomik Zenun Pajaziti ka thënë se  Qeverisë së Kosovës i është bërë kërkesë për fillimin e procedurave për kompletim të bordit të AKK-së.

Zyra për Komunikim Publik në Zyrën e Kryeministrit i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim, kur është pyetur se a ka nisur procedurat për nominimin e anëtarëve që do të drejtonin Komisionin Kosovar të Konkurrencës.

Komisioni Kosovar i Konkurrencës bazuar në Ligjin për Konkurrencën duhet të ketë 5 anëtarë drejtues.

Komisioni parlamentar ka ngritur shqetësim se mosfunksionimi i duhur i 3 anëtarëve aktualë të bordit të AKK-së është duke e dëmtuar imazhin e vet institucionit dhe të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Anëtarët e komisionit janë shprehur të shqetësuar me gjendjen e krijuar në AKK  dhe të raporteve të bordit të AKK-së.

“ Ky komision nuk guxon të dalë në publik me këtë formë të komunikimit” është shprehur deputeti  Shaip Muja (PDK).

Deputetja Myzejene Selmani (AKR) është shprehur të jetë e zhgënjyer me anëtarët aktualë të bordit të AKK-së.

“ Më vjen shumë keq që ju e keni marrë dritën e gjelbër nga kuvendi…. Po ashtu kam gabu shumë që ju kam përkrahë” ka thënë deputetja Selmani.

Deputetja Sala Berisha-Shala (PDK) ka propozuar që të shkarkohen të gjithë anëtarët aktualë të bordit.

“Unë mendoj që më së miri është me ju thënë këtyre njerëzve shkoni në shtëpi” tha ajo, duke shtuar se nuk ka kurrfarë kuptimi vazhdimi i punës së këtij bordi.

Kurse deputeti Ramiz Kelmendi (AAK) ka propozuar që të shkarkohen dy anëtarët tjerë të bordit, por jo edhe ushtruesi i detyrës së kryesuesit Krasniqi.

Autoriteti i kryesuesit, sipas tij, nuk duhet të shpërfillet nga anëtarët tjerë.

Por deputeti Hashim Deshishku (LDK) ka thënë se duhet të largohen që të tre anëtarët.

Deshishku ka fajësuar Qeverinë për gjendjen e krijuar duke shtuar se që dy vjet ky autoritet është pa kryetar duke aluduar në faktin që Krasniqi është vetëm ushtrues detyre.

Kryesuesi i komisionit për Zhvillim Ekonomik… Zenun Pajaziti kë kërkuar që me urgjencë t’i dërgohen Qeverisë së Kosovës rekomandime ashtu që të zgjidhet gjendja e krijuar.

Pajaziti është shprehur se në fillim të rekomandimeve të potencohet fjala urgjencë.

Rekomandimet sipas tij do t’i formulojë një grup punues prej tre vetash, i formuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik.

Komisioni do të vendosë lidhur me rekomandimet në mbledhjen e radhës.