Policia e Kosovës Heton Sulmin Ndaj Bllacës

Policia e Kosovës ka nisur hetime për sulmin në shtëpinë e Nazim Bllacës që ndodhi të shtunën rreth orës 23:00. 

“Hetimet që lidhen me incidentin e sulmit që është cilësuar –“Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” po vazhdojnë dhe po udhëhiqen nga Policia e Kosovës”, thotë Baki Kelani zëdhënës i Policisë së Kosovës. 

Sipas tij, ende nuk dihen motivet e sulmuesve që shkaktuan këtë sulm. 

“Nuk mund të flasim ende për motive, ato do të bëhen publike në gjykatë”, thotë Kelani.

Ndërkohë EULEX-i nuk komentoi nëse hetues të këtij misioni po merren me rastin, por pohoi se është në dijeni për njoftimin që bëri Bllaca.

“Jemi në dijeni për incidentin e pretenduar”, pohoi Bardha Azari zëdhënëse në EULEX. 

Shtëpia e Nazim Bllacës, dëshmitarit të mbrojtur të EULEX-it në dy procese gjyqësore, është sulmuar mbrëmjen e së shtunës. 

Bllaca pohon se nga sulmi me granatahedhës është dëmtuar vetëm kulmi i shtëpisë. 

“Është dëmtuar kulmi, por jo pjesa ku banoj unë, familja ime, por as pjesa e katit përdhes ku banojnë trupat e EULEX-it”, thotë Bllaca për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Nazim Bllaca u bë i famshëm në nëntor të vitit 2009 kur afër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës e Qeverisë rrëfente për vrasjet e kryera pas lufte. Ai mbante letërnjoftim e tij në dorë për të vërtetuar identitetin e vet para mediave. 

Dëshmitë e tij në dy procese gjyqësore çuan në dënimin me burg të shtatë përsonave që u gjetën fajtor për vrasje të kryera pas luftës në Kosovë. 

Bllaca, tash do të paraqitet në gjykatë si i akuzuar, pasi gjatë dëshmive dhënë EULEX-it ka inkriminuar veten si pjesëmarrës në vrasjen e Ibush Kllokoqit, e cila ka ndodhur në gusht 1999.

Më shumë rreth rastit Bllaca mund të lexoni këtu: http://gazetajnk.com/index.php?cid=1,1018,5779