Dënimi i Tretë për Gjyqtarin Kolë Puka (TV)

Gjyqtari Kolë Puka që dy vjet po qëndron prapa grilave, i përballur me dënime të njëpasnjëshme, ndërsa nëse dënimet ndaj tij bëhen të plotfuqishme, ai rrezikon të qëndrojë shumë më gjatë në burg.

Të premten një trup gjykues i Gjykatës Themelore në Pejë, i drejtuar nga gjykatësi i EULEX-it Jonathan Carrol, u shtoi dënimeve të Pukës edhe 18 muaj burg për një rast shpërdorimi të detyrës zyrtare e autorizimit dhe nxjerrjeje të paligjshme të vendimeve gjyqësore.

Këto vepra penale Puka i kishte kryer gjatë vitit 2005, kur ishte gjykatës në Gjykatën Komunale në Klinë.

Gjatë atij viti, katër të lënduar rëndë në një aksident trafiku kishin kërkuar dëmshpërblim nga agjencia e sigurimeve.

Të dëmtuarit në këtë proces i përfaqësonte avokati Zef Marleku, ndërsa Avdullah Robaj, i dënuar të premten gjithashtu me 18 muaj, atëherë përfaqësonte Fondin Garantues të Kosovës. Gjyqtar në këtë rast ishte Kolë Puka.

Fondi Garantues i Kosovës është i administruar nga Byroja Kosovare e Sigurimit për të kompensuar dëmet e shkaktuara në komunikacion.

Sipas aktakuzës së ngritur në muajin korrik të vitit të kaluar nga rasti gjyqësor i katër të lënduarve në aksident komunikacioni Kolë Puka si gjyqtar dhe Avdullah Robaj si avokat i Fondit Garantues kanë përfituar 71 mijë euro.

Në seancën e parë të këtij rasti, të zhvilluar në qershor të vitit 2005, në Gjykatën Komunale të Kliinës, të lënduarit nuk kishin mundur të merren vesh me fondin garantues lidhur me kompensimin, ndërsa seanca e radhës ishte shtyrë për kohë të pacaktuar.

Më pas, pa dijeninë Zef Marlekut, avokatit të të lënduarve në aksident dhe me qëllim të përfitimit material, Kolë Puka dhe Avdullah Robaj kishin mbajtur vetë një seancë për rastin e katër të lënduarve rëndë në aksident komunikacioni, duke përcaktuar një shumë prej 71 mijë eurosh si kompensim për ta.

Pastaj Kolë Puka e Avdullah Robaj ndanë këto para mes vete, ndërsa për ta bërë seancën “të ligjshme” falsifikuan nënshkrimin e avokatit të të dëmtuarve Zef Marlekut, kinse edhe Marleku ishte i pranishëm në seancë.

Shkeljet e gjyqtarit Kolë Puka dhe avokatit Avdullah Robaj vazhduan edhe më tej, pasi këta të dy njoftuan të lënduarit e aksidentit se 71 mijë eurot e kompensimit mund t’i marrin në agjencinë e sigurimeve.

Në agjencinë e sigurimeve, palës së dëmtuar i thanë se paratë e kompensimit i kishte marrë avokati Zef Marleku në emër të tyre. Më pas të dëmtuarit e aksidentit paditën ish-avokatin e tyre, ndërsa Marleku ngriti padi ndaj Kolë Pukës dhe Avdullah Robajt.

Në janar të këtij viti, ish-gjyqtari i gjykatës në Klinë, Kolë Puka, pranoi veprat penale shpërdorim i detyrës zyrtare e autorizimit dhe nxjerrje e paligjshme e vendimeve gjyqësore, me të cilat ngarkohej.

Pasi Puka pranoi fajësinë, ndërsa Robaj vazhdonte të këmbëngulte se është i pafajshëm, procesi gjyqësor vazhdoi vetëm kundër Robajt që mbrohej me faktin e falsifikuar se edhe Marleku ishte në seancën e rreme.

Kur para dy muajsh gjatë dëshmisë së tij në këtë rast Marleku paraqiti para gjykatës nënshkrimin e tij origjinal, trupi gjykues konstatoi se nënshkrimi i Marlekut në “seancën e dytë” ku u përcaktua kompensimi për të lënduarit, është i falsifikuar.

Të premten Avdullah Robaj, njësoj si Kolë Puka, u dënua me 18 muaj burg. Atij pasi ta kryejë dënimin i është ndaluar për tre vjet ushtrimi i profesionit të avokatit.

Kolë Pukës pas kryerjes së dënimit i është ndaluar për pesë vjet ushtrimi i çfarëdo veprimtarie publike.

Dënimi i së premtes është i pari për avokatin Robaj, ndërsa i treti për gjyqtarin Kolë Puka.

Në maj të vitit të kaluar Gjykata e Qarkut në Pejë, e dënoi  Kolë Pukën me 5 vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimit.

Pesë muaj pas dënimit të parë, Puka u ndëshkua edhe më rëndë nga ligji. Ai u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për lëshim të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor, shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pastrim të parave dhe mashtrim.

Asnjëri nga tri dënimet e Kolë Pukës ende nuk janë të plotfuqishme. Nëse bëhen të tilla, Puka mund të qëndrojë në burg për 16 vjet e gjysmë. Puka është duke u hetuar edhe për një rast tjetër të shpërdorimit të detyrës.

I plotfuqishëm nuk është bërë as dënimi i Avdullah Robajt. Avokati i tij Bajram Tmava paralajmëroi ankesë kundër vendimit të gjykatës.