Borchardt: Prokurorët dhe Gjykatësit do të Përballojnë Presionin Publik

“Pavarësia e gjyqësorit është jetike në çdo shoqëri bazuar në sundimin e ligjit”, tha Borchardt. 

Reagimi i shefit të EULEX-it vjen pas kërkesës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së të bërë të martën për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme plenare.

“Kërkojmë nga ju… të merrni iniciativën që të thirrni sa më shpejt një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të rishikohet mandati i EULEX-it”, thuhet në kërkesën e OVL-së drejtuar Parlamentit të Kosovës.

Borchardt tha se misioni i EULEX-it është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe se në çdo shoqëri demokratike individët ose grupet individuale janë të lirë që t’u adresohen deputetëve me kërkesa specifike.

Por varet se si do të përgjigjen deputetët, shtoi ai.

“Prokurorët dhe gjykatësit janë të pavarur dhe jam i bindur se ata do të përballojnë çdo presion publik”, tha Borchard.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës tashmë ia ka shtyrë mandatin EULEX-it.

Mirëpo, shtoi ai, kërkesa do të shkojë përmes procedurave të rregullta të Kuvendit.

“Për një seancë të jashtëzakonshme duhen të jenë gjashtë e më shumë deputetë që duhet të bëjnë kërkesë. Por seancë të jashtëzakonshme mund të thërrasin edhe kryeministri dhe presidentja e vendit”, tha Krasniqi.

OVL-ja në thirrjen për seancë të jashtëzakonshme përmend destabilizimin e vendit.

“Kemi të bëjmë me një ofendim, nënçmim dhe shkelje të dinjitetit nga EULEX-i, ndaj tërë popullit shqiptar, masë e cila ka kapacitete që të destabilizojë gjendjen, deri në shkallën më të lartë”, thuhet në kërkesën e OVL-së.

Borchardt thotë se e kupton që popullit të Kosovës mund t’u dhimbsen ish-udhëheqësit e UÇK-së kur shohin se gjykohen për krime lufte, por “është e rëndësishme të kuptohet se çështja e fajësisë është individuale e jo kolektive”, vlerëson ai. 

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë po ashtu thekson se debatet parlamentare për proceset gjyqësore që vazhdojnë, mund të jenë të papranueshme, duke iu referuar rastit “Kiçina” për të cilin ka pasur përpjekje të rihapjes së rastit. Një rast i tillë për zyrën e BE-së është i kryer përfundimisht. 

“Nga interpretimi europian i sundimit të ligjit, të dyja rastet konsiderohen si ndërhyrje politike në gjyqësor”, tha zyra e BE-së në Kosovë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Zyra e BE-së tha se në raste të tilla Kuvendi dhe çdo politikan tjetër përgjegjës duhet të përmbahen nga angazhimi në çdo veprim që mund të interpretohet si një përpjekje për të ndikuar në kthimin e vendimeve të gjykatës, si dhe si një përpjekje për të ndikuar në perceptimin e gjyqtarëve të pavarësisë së tyre.

“Kur Kuvendi i Kosovës vendosi të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe EULEX-it vitin e kaluar, kemi theksuar se fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë mbetet prioriteti dhe objektivi ynë i përbashkët dhe se përkrahja e fortë në Kuvend ishte një konfirmim i zotimit të Kosovës për ardhmërinë e saj europiane”, thotë zyra e BE-së.

Kjo zyrë inkurajon Kosovën për shfrytëzimin sa më të mirë të ekspertizës së EULEX-it. 

“Në veçanti, kjo do të jetë e rëndësishme në përmbushjen e kërkesave lidhur me dialogun e liberalizimit të vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por gjithashtu edhe në zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, vazhdon në përgjigjja e zyrës së BE-së për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Kërkesa e OVL-së për seancë të jashtëzakonshme plenare në Kuvend, vjen pas arrestimit të disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të quajtur si “Grupi i Drenicës”.

Grupi i Drenicës i përbërë nga ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sylejman Selimi, kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe Sahit Jashari, Avni Zabeli, Hysni Thaçi, Jahir Demaku dhe Zeqir Demaku dyshohen se kanë kryer krime lufte. http://www.gazetajnk.com/index.php?cid=1,1018,5670