Deponi Ilegale të Mbeturinave në Fshatrat e Drenasit (TV)

Banorët e fshatit Baicë të Drenasit janë të detyruar që në mungesë të kontejnerëve mbeturinat e tyre t’i hedhin në mes të fshatit.

Agim Elshani kryetar i fshatit Baicë tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ai personalisht ka bërë kërkesë për pastrimin e këtyre deponive dhe sjelljen e kontejnerëve në fshat por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.

“Tash kur temperaturat janë të larta  ka rrezik të ndonjë epidemie”, tha Agim Elshani.

Mendim tjetër ka zyrtari për menaxhimin e Mbeturinave në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Drenasit, Shpend Bogiqi.

Ai tha se është e vërtetë që në komunën e Drenasit ka deponi ilegale të mbeturinave, por kjo vjen si pasojë e inkasimit të dobët që vjen nga ana e qytetarëve.

I të njëjtit mendim është edhe Muhamer Qelaj, Drejtor i Kompanisë Regjionale të Mbeturinave ‘’Pastrimi’’.

“Deri më tash nuk kemi pas shumë suksese për shkak se ka shumë pak banorë që kryejnë pagesën e mbeturinave. Sidomos nëpër fshatra edhe pse kemi dërguar kontejnerë jemi detyruar t’i tërheqim për shkak të mospagesës”, tha Qelaj.

Sipas tij, niveli i inkasimit në tërë komunën e Drenasit është 46 për qind.

“Ndërsa sa i përket fshatit Baicë nuk kemi pasur kurrë shërbim sepse nuk ka pasur interesim nga banorët”, tha Qelaj.

Lidhur me inkasimin e ulet kryetari i fshatit Baicë tha se në këtë fshat nuk kanë pasur kontenjera kurrë andaj edhe nuk mund të akuzohen për inkasim të vogël.
 
Përveq Baicës, probleme me mbeturinat kanë edhe fshatrat tjera të komunës së Drenasit si Damaneku, Gllobari, Shtrubullova e Komorani.

Në këto fshatra Kompania “Pastrimi” i ka tërhequr kontejnerët për shkak të inkasimit të ulët.