INPO: Orbita e Kosovës drejt BE-së e devijuar

Samir Reka, drejtor i Iniciativës për Progres (INPO), tha se duhet të ekzistojë vullneti i institucioneve politike për luftimin e këtyre dukurive.

Tri nga katër raketat simbolike që INPO paraqiti në performancën e tyre, simbolizonin dukuritë që dezorientojnë “orbitën” e Kosovës drejt BE-së.

“Në nivelin e parë duhet heqë qeverisjen e keqe, ne nivelin e dytë duhet heqë korrupsionin, dhe në nivelin e tretë duhet heqë këtë ekonomi të dobët”, tha Reka

Sipas Rekës, vetëm pasi të ndodhin këto veprime, Kosova do të drejtohet në orbitën, ose në rrugën e drejtë nga Bashkimi Evropian.

Këtë vizion të INPO-s e paraqiste raketa e katërt e orientuar drejt “qiellit” të BE-së.

Gjatë performancës së të enjtes INPO i kërkoi Qeverisë së Kosovës që 9 Majin-Ditën e Europës ta heq nga festat zyrtare.

Sipas kësaj organizate Kosova duhet të japë shembuj të progresit, dhe se hapat konkretë drejt BE-së arrihen duke punuar dhe me përpjekje konkrete për afrimin e standardeve në të gjitha fushat.

Një ditë më parë Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, publikuan një studim për koston që kosovarët duhet të paguajnë për viza në ambasada të ndryshme.

Sipas këtij studimi, në tre vjetët e fundit mbi 217 mijë kosovarë kanë shpenzuar rreth 15 milion euro për pagesa për viza dhe dokumente mbështetëse nëpër ambasada.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor ndaj të cilit BE-ja aplikon regjimin për vizat.

Të gjeturat e këtij studimi tregojnë që më së shumti aplikime për viza, ka pasur në ambasadën e Gjermanisë që mban numrin rekord të aplikimeve gjatë këtyre tre vjetëve, ku në total janë parashtruar 71.942 aplikime.

Pas Gjermanisë, radhitet Zvicra me 58.487 aplikime për tre vjet. Kurse, më së paku kërkesa për viza nga kosovarët ka pasur në ambasadën e Norvegjisë.

Të gjeturat e studimit thonë se për periudhën 2010-2012 mesatarisht janë refuzuar 17% e aplikimeve për viza.

Të gjitha paratë e shpenzuara të kosovarëve për vizat e refuzuara, sipas GAP-it dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike konsiderohen para të humbura.

Gjatë tre vjetëve janë refuzuar kërkesat e 37 mijë e 500 kosovarëve për viza.

Ndonëse vendi më i varfër dhe me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, kosovarët shpenzojnë më së shumti në Evropë për të aplikuar për viza.

Komisioni Evropian, në shkurt të viti 2013 i dërgoi Qeverisë së Kosovës një raport për liberalizimin e vizave, sipas të cilit me gjithë disa përparime të bëra, u evidentuan ngecje të cilat pengojnë liberalizimin e vizave për kosovarët.

Për ditën e Europës një rrugë e Prishtinës fitoi tipare europiane.