Serbët e Veriut i Shkruajnë Kremlinit

Udhëheqësit e katër komunave të drejtuara nga serbët në veri të Kosovës kanë kërkuar që bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për Kosovën të rifillojnë nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe për këtë duan që Rusia t’u ndihmojë.

“U drejtohemi juve me kërkesën që të na ndihmoni [kundër] veprimeve të njëanshme të Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës”, thuhet në letrën për zyrtarët rusë, të hartuar në Zveçan, të mërkurën.

Letra vjen pasi Kosova dhe Serbia u pajtuan rreth një propozim-marrëveshjeje prej 15 pikash për normalizim marrëdhëniesh, më 19 prill, në Bruksel, që lejon të dy shtetet të ecin në rrugën  e tyre evropiane.

Projekt-marrëveshje kryesisht ka të bëjë me të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë.

Marrëveshja parashikon që komuniteti lokal serb të ketë mundësinë e zgjedhjeve të komandantëve policorë, ndërsa përbërja e policisë në përgjithësi do të reflektojë strukturën etnike në terren. Drafti propozon gjithashtu më shumë gjyqtarë që vijnë nga minoriteti serb.

Liderët e serbëve veriorë kundërshtojnë marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh, duke e vlerësuar si hapin e parë të Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

Ata përsëritën në një mbledhje në Zveçan të mërkurën se marrëveshja e Brukselit ishte tërësisht e papranueshme për serbët e Kosovës.

Marrëveshja është “politike, e imponuar me forcë, që nuk bazohet në ligjet dhe kushtetutën e Serbisë dhe … dhe nuk do të implementohet posaçërisht derisa Gjykata Kushtetuese të japë mendimin e saj”, thuhet në njërin nga konkluzionet e mbledhjes së Zveçanit.

Derisa shumë serbë veriorë e shohin marrëveshjen si një shitje të tyre, zbatimi i saj është thelbësor për Serbinë që ta marrë datën për nisje bisedimesh anëtarësimi me BE-në në qershor.

Që nga përfundimi i konfliktit në vitin 1999 pjesa veriore e Kosovës ka qenë jashtë kontrollit të qeverisë në Prishtinë, ndërsa Serbia ka financuar strukturat e sigurisë, gjyqësisë, shëndetësisë dhe ato arsimore në atë pjesë.