Infrastruktura e KEK-ut Rrezikon Banorët në Dukagjin

Një tel i energjisë elektrike i largpërçuesit 10 kilovoltësh që vjen nga rrjeti shpërndarës në Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit prej muajsh qëndron i këputur në afërsi të shtëpisë së Selmon Zukajt nga Isniqi i Deçanit.

Familjari Zukaj kritikon zyrtarët e KEK-ut të cilët, sipas tij, kanë dalë në vend të ngjarjes, por nuk e kanë larguar telin.

“Kanë qenë ekipet e KEK-ut, e kanë shikuar situatën dhe kanë thënë se mund të hiqen edhe shtyllat edhe teli dhe se ka mundësi që teli të futet nën tokë. Por pastaj nuk janë dukur më për ta rregulluar”, tha ai.

Në anën tjetër, zyrtarë të KEK-ut në Pejë thonë se Zukaj nuk ka pranuar që ekipet e KEK-ut ta lidhin telin, por ka kërkuar t’ia largojnë shtyllat e metalit nga toka e tij.

Xhevdet Krasniqi, drejtor i distriktit të Pejës, thotë se Zukaj ka qenë kundër lidhjes ose për zëvendësimin e telave me kabllo nëntokësore.

Po ashtu, ai thotë se teli i këputur nuk përbën rrezik sepse është tel rezervë dhe futet në funksion “në raste kur nuk funksionojnë telat tjerë për kohë të shkurtër”.

“Teli nuk ka energji elektrike”, tha drejtori Krasniqi.

Kransiqi thotë se nëse ndonjë nga konsumatorët e energjisë elektrike nuk është i kënaqur me ndonjë gjë dhe kërkon intervenim nga ana e KEK-ut, atëherë, sipas rregulloreve të korporatës, shpenzimet duhet t’i bartë pala vetë.

Në këtë rast, thotë ai, shpenzimet kapin mbi 10 mijë euro.

Në polici thonë që të mos ketë asnjë rast të tillë të hapur ndaj askujt.

Tri shtylla rrezikojnë të rrëzohen

Edhe tri shtylla të energjisë elektrike të vendosura në fshatin Ramun të Komunës së Pejës, të cilat furnizojnë këtë fshat me energji, rrezikojnë që të bien për toke nga dita në ditë.

Si pasojë e nxjerrjes së vazhdueshme të pakontrolluar të zhavorrit nga Lumbardhi i Pejës shtyllat janë në gjendje të rëndë. 

“Ato shtylla kur janë vendosë para më shumë se 30 vitesh në atë pjesë, gjendja ka qenë shumë normale, por nxjerrja e zhavorrit nga operator të ndryshëm e ka zgjanu shtratin e lumit deri në 100 metra, e tash shtyllat kanë mbete në mes të lumit

Zyrtarët e KEK-ut në Pejë i kanë thënë gazetës se shtyllat në fjalë përkundër vjetërisë së tyre, po të mos nxirrej zhavorri në afërsi, ende do të qëndronin të forta.

Banorët thonë se disa herë i janë drejtuar KEK-ut për intervenim por, sipas tyre, këta të fundit nuk janë marrë me këtë çështje.

“Shtylla e cila është mbrapa meje në çdo moment pritet të bie në ujë e ta rrezikojë jetën e banorëve të cilët i kanë pronat afër lumit, dhe afër shtyllave të shtrembëruara”, thotë Miftar Miftari, banor i fshatit Ramun.

Ai thotë se banorët e Ramunit janë të gatshëm që nëse KEK-u ka nevojë edhe t’i ndihmojnë në terren.
 
Drejtori i distriktit të KEK-ut në Pejë, Xhevdet Krasniqi, thotë se nuk është i informuar me problematikën e banorëve të Ramunit dhe se kjo sipas tij ka të bëjë me ardhjen e tij të vonë në këtë detyrë, që nga tetori i vitit të kaluar.

“Mirëpo ju premtoj se kjo do të shikohet me shumë urgjencë dhe nëse çdo gjë varet nga ana e KEK-ut do të intervenohet me shpejtësi”, ka thënë Krasniqi.

Namik Bajraktari drejtor i rrjetit në Distriktin e Pejës ka thënë se janë të njoftuar me këtë problem dhe se kanë pranuar edhe kërkesat e komunitetit, mirëpo sipas tij deri më tani ishte i pamundur intervenimi si pasojë e ujit të shumtë të Lumbardhit të Pejës.

“Ato shtylla kur janë vendosë para më shumë se 30 vitesh në atë pjesë, gjendja ka qenë shumë normale, por nxjerrja e zhavorrit nga operatorë të ndryshëm e ka zgjanu shtratin e lumit deri në 100 metra, e tash shtyllat kanë mbete në mes të lumit”, ka thënë zyrtari i KEK-ut në Pejë.

Sipas Bajraktarit nxjerrja e zhavorrit skaj Lumbardhit të Pejës, jo vetëm në Ramun por edhe në lokalitete tjera ka krijuar probleme të kësaj natyre.