Etiketimi Kolaboracionist Përbën Rrezik Për Jetë

Ta quash dikë kolaboracionist është rrezikim i jetës dhe në Ballkan e në Kosovë njerëzit janë vrarë për etiketime të këtilla, tha të hënën gazetari britanik Tim Judah.

Judah i The Economist dëshmoi në kuadër të procesit gjyqësor kundër kryetarit të fuqishëm të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të tjerëve të akuzuar për kërcënim dhe cenim të statusit të barabartë të gazetares Jeta Xharra.

Judah u paraqit përmes skype-it nga shtëpia e tij në Londër ndërsa afër tij qëndronte një zyrtar i EULEX-it i cili e identifikoi Judah-n përmes dokumenteve personale.

Derisa prezantohej, Judah tha se punon si gazetar që nga viti 1980 – aktualisht si korrespondent për Ballkanin – dhe se kalon shumë kohë në këtë rajon, përfshirë në Kosovë.

Kryetari i trupit gjykues Vladimir Mikula tha se Judah është gazetar i pavarur britanik i cili merret me çështjet që ndodhin në Ballkan.

“Është ftuar këtu në mënyrë që të ofrojë informata të pavarura se si ka qenë disponimi në vitin 2009 lidhur me fjalët e rënda dhe kërcënimet dhe si i kupton ai këto”, tha Mikula.

Sipas tij, vlerë shtesë e dëshmisë së Judah-s është se gjykata është e sigurt që ai është i pavarur.

Sipas aktakuzës, gazeta Infopress në pranverën e vitit 2009 kishte publikuar artikuj ku, ndër të tjera, Jeta Xharra referohej si “spiune e Serbisë”, “agjente”, “shërbëtore e policisë sekrete serbe” si dhe vlerësohej se “Jeta ia bëri vetes që të mos ketë jetë të gjatë”.

Gazetari Judah foli për perceptimet për bashkëpunëtorët e Serbisë pas luftës në Kosovë.

“Nëse dikush quhet kolaboracionist jeta e tij mund të jetë në rrezik”, tha Judah. “Ta quash dikë spiun i Serbisë do të ndikonte në reputacionin personal e profesional, në një klimë nxitëse për kërcënimin e jetës së personit”.

Ka shqiptarë që janë vrarë se në atë kohë i kanë parë si bashkëpunëtorë…Tim Judah

Sipas tij, po ashtu, që nga 1998-ta “ka shqiptarë që janë vrarë se në atë kohë i kanë parë si bashkëpunëtorë…”.

“Jo vetëm bashkëpunëtorët, por janë vrarë edhe kundërshtarët politikë”, shtoi ai.

Duke u bazuar në këtë, Judah tha se personalisht, në kohën e shkrimeve të Infopress-it, i kishte shkruar vetë Martti Ahtisaarit dhe Oli Rehn-it, dy politikanëve të njohur europianë.

Gazetarët heshtin që atëherë…
 
“Nëse flet një ish-komandant i UÇK-së, ai ka kredibilitet në popull dhe e thëna do të konsiderohet e vërtetë”, shpjegoi Judah rëndësinë e deklaratave të të akuzuarit Sami Lushtaku.

Sipas aktakuzës, Lushtaku kishte thënë në intervistën dhënë Infopress-it më 2 qershor 2009 se “trupi i Jeta Xharrës është në Kosovë, por ajo kryen punën nga Beogradi, Serbi”. “Jeta Xharra i shërben (…) policisë sekrete serbe”, kishte thënë Lushtaku në intervistë, thuhet në aktakuzë. 

Sipas Judah-s, ka shumë gazetarë që nuk duan të flasin e të shkruajnë “pasi që nuk duan t’i nënshtrohen atyre që përjetuan Jeta Xharra dhe Jeta Abazi”.
 
Ai tha se ka dallim mes asaj që thuhet në kafene dhe asaj që shkruhet në gazeta.

“Të quash dikë spiun nuk është çështje opinioni, por është akuzë”, tha ai. “T’i thuash një gazetari i dobët ky është opinion”.

Prandaj, tha ai, e kishte interpretuar fushatën si “nxitje për dhunë”.

Avokati Tahir Rrecaj, mbrojtësi i të pandehurit Rexhep Hoti, u interesua të dinte për radhën e përgjegjësisë që ka media kur boton një artikull.

“Sipas përvojës sime dhe sipas rregullave, përgjegjësia është kjo: ai që e thotë, autori, redaktori ose kolegjiumi i redaktorëve dhe pronari ose botuesi i gazetës”, tha Judah.

Për shkak të rreziqeve ligjore ai po ashtu tha se ndodhë që artikullin e dërgon edhe tek juristi për kontroll.

Hoti gjobitet me 15 euro

I pandehuri Rexhep Hoti, ish botuesi i Infopress-it, në një rast, e quajti dëshmitarin “amator” dhe për këtë tha se është mendim i tij.

Prokurorja reagoi duke kërkuar që i pandehuri të dënohet për fyerje ndaj dëshmitarit.

Gjykata vendosi që këtë ta bënte pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit.

Ta quash dikë spiun nuk është çështje opinioni, por është akuzë. T’i thuash një gazetari i dobët ky është opinion. Tim Judah

Por i pandehuri Hoti vazhdoi të mos e respektonte urdhrin e gjykatës që të priste përkthimin e dëshmisë dhe të priste që dëshmitari të përfundonte mendimin e tij.

Për këtë, gjykatësi Vladimin Mikula mori aktvendim dhe i shqiptoi një gjobë prej 15 eurosh Hotit për shkak të mos respektimit të gjykatës dhe urdhrave të saj.

Ministrja nuk do të dëshmojë

Gjatë seancës së njëjtë, avokati i të pandehurit Sami Lushtaku, Arianit Koci, hoqi dorë nga dëgjimi i dëshmitares Vlora Çitaku, ministres aktuale të integrimeve, të propozuar në seancën e fundit.

Më pas Koci kërkoi nga gjykata që të aprovohen edhe dëshmitarët e tjerë, Berat Buzhala, Baton Haxhiu, Milaim Zeka, të cilët i ka propozuar të premten.

Po ashtë, në seancë është shikuar emisioni “Lira e Shprehjes” i transmetuar në emisionin Jeta në Kosovë, më 29 maj 2009.

I pandehuri Sami Lushtaku tha se “emisioni është i qëllimshëm”.
“Qëllimi nuk ishte që të vinte (ekipi) të shihte çka është arritur në Skenderaj. Intervistat i kanë bërë vetëm me anëtarë të LDD-së (Lidhjes Demokratike të Dardanisë). Unë dhe qytetarët e Skenderajt jemi ndjerë keq nga këto deklarata”, tha Lushtaku.

“Më ka ardhur keq për Jeta Abazin atë ditë (autorja është dëgjuar të enjten), por më vjen keq për veten tash pasi që e pashë storjen”, tha Lushtaku.  

Shënim:
Tim Judah është aktualisht anëtar i bordit të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).