Reagimet: Nuk Ka Ndryshim Thelbësor Kosovë-Serbi (TV)

Marrëveshja e së premtes krijon asociacionin/bashkësinë e komunave serbe të Kosovës me kompetenca të plota për sektorë si ekonomia, planifikimi urban, shëndetësia e edukimi, pastaj me kompetenca të përzgjedhjes së drejtuesve policorë për rajonin e veriut, për gjyqtarët etj., si dhe fut brenda kornizës së institucioneve të Kosovës strukturat ekzistuese të sigurisë të serbëve të vendit.

Me të po ashtu, garantohet se asnjëri vend nuk do të pengojë integrimin e tjetrit në Bashkimin Europian.

Leon Malazogu, drejtori ekzekutiv i institutit Demokraci për Zhvillim (D4d), thotë se marrëveshja nuk ka shënuar ndryshim thelbësor të raporteve Kosovë-Serbi.

“Përmbajtja me gjasë do të hapë disa dyer në lidhje me BE-në, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, por arrin më pak se që është pritur në aspektin e rregullimit të raporteve me Serbinë”, tha Malazogu për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Është e vërtetë se (marrëveshja) forcon sovranitetin e jashtëm paksa”, shtoi ai. “Por janë disa paqartësi të cilat mbeten për më vone të cilat fshehin rreziqe për sovranitetin e brendshëm”. 

Frikësohem se Serbia mund të ngadalësojë afrimin me Kosovën, se levat e BE-së mbi Serbinë do të jenë më të dobëta pas qershorit dhe se do të vazhdojë një proces i vështirë vetëm për zbatim të këtyre proceseve e lëre më për marrëveshje të reja”

Malazogu tha se mund të ketë pasur presion për mbështetjen parlamentare të marrëveshjes si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. “Por garancitë që duket se janë dhënë e kanë ndryshuar mendimin dhe kanë mbifuqizuar brengat të cilat qartazi akoma të gjithë i kanë”.

Ai thotë se të mirat që mund të vijnë në formën e shpërblimit janë të domosdoshme dhe mund të nxisin valë të re njohjesh.

Megjithatë, sipas Malazogut, Serbia akoma e sheh raportin me Kosovën si agresiv.

“Nuk do të kemi bashkëpunim, por vazhdim të një raporti të vështirë vetëm se me dialog”, tha ai. “Frikësohem se Serbia mund të ngadalësojë afrimin me Kosovën, se levat e BE-së mbi Serbinë do të jenë më të dobëta pas qershorit dhe se do të vazhdojë një proces i vështirë vetëm për zbatim të këtyre proceseve e lëre më për marrëveshje të reja”.

Baliqi: Marrëveshja brenda rendit juridik

Politologu Bekim Baliqi, ligjërues në departamentin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se marrëveshja është mjaftë gjithëpërfshirëse por edhe me elemente po ashtu mjaftë diskutabile. 

“Por në parim mendoj se nuk del jashtë kornizës institucionale të rendit juridik e politik të vendit”, Baliqi i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

“Implementimi i marrëveshjes do të përcaktojë suksesin ose dështimin e saj”, tha ai. “Kështu marrëveshja do të marrë kuptim dhe do të varet shumë nga zbatimi i saj konkret në terren. Kjo mendoj se nuk do të jete aspak e lehtë, por jo edhe e pamundshme”.

Baliqi shtoi se seanca e mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës, kur u votua në tension për të mbështetur marrëveshjen, ka përçuar imazh jo aq të mirë.

“Më shumë shfrytëzohej si arenë e përplasjeve politike sesa organi me i lartë ligjvënës ku respektohen procedurat ligjore dhe parimet demokratike”, tha Baliqi.

Në Veri Serbet kundërshtojnë, shqiptaret mirëpresin marrëveshjen

Ndërkohë ka përfunduar e qetë protesta e mbi 5 mijë serbëve së të cilët pak metra larg urës së Ibrit kishin dalë të hënën të protestonin dhe kundërshtonin marrëveshjen e arritur të premten ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. 

Por mbesim me shpresë se kjo marrëveshje  do të implementohet dhe do të bëhet mirë për gjithë popullin e Kosovës dhe për ne banorët e veriut të Mitrovicës që edhe pas 14 vitesh  nuk  lëvizim lirshëm në atë pjesë”

Banorët Serbë pjesëmarrës në këtë protestë mbanin në duar pankartat si “Kosova është zemra e Serbisë”, “Kosova është Serbi, “Nuk njohim kurrfarë marrëveshje”, etj.

“Sot në mesditë për një orë rresht pak metra larg urës së Ibrit, përkatësisht në sheshin ‘Shumadia’ mbi 5000 persona të komunitetit serb, të udhëhequr nga liderët të strukturave ilegale në veri, kanë protestuar për ta kundërshtuar marrëveshjen e arritur kohë më parë ndërmjet dy kryeministrave për normalizim marrëdhëniesh”, thotë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Sipas tij, protesta ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë ekses ose incident.

Rrugët kryesore të cilat lidhin pjesën veriore me atë jugore të qytetit kanë qenë të bllokuara deri në përfundim të protestës.

Përderisa serbët e veriut përmes protestave kundërshtuan marrëveshjen, shqiptarët e mirëpritën atë.

Gani Hysenaj, banor i lagjes Kodra e Minatorëve në veri të Mitrovicës, thotë se marrëveshja ndërmjet dy kryeministrave nuk është ideale.

“Por mbesim me shpresë se kjo marrëveshje  do të implementohet dhe do të bëhet mirë për gjithë popullin e Kosovës dhe për ne banorët e veriut të Mitrovicës që edhe pas 14 vjetësh nuk  lëvizim lirshëm në atë pjesë”, tha Hysenaj.

Edhe Emir Azemi po ashtu banor i veriut të Mitrovicës tha se pret normalizim të situatës dhe rënie të ndikimit të udhëheqësisë ilegale serbe të pjesës veriore të Mitrovicës.

“Kjo marrëveshje nuk i përmbush gjithë ato që i kanë pritur serbët dhe shqiptarët por, kjo marrëveshje mund të jetë një udhërrëfyes ose një rrugëtim më ndryshe se sa tash e 14 vjet”, tha ai.

Natën e së dielës edhe aktivistë të Vetëvendosjes kanë mbajtur një protestë para Kuvendit të Kosovës, derisa seanca për Marrëveshjen 15-pikëshe ishte në vazhdim.

Protesta e cila vazhdoi deri rreth orës 1:30 të hënës ishte drejtuar pikërisht kundër kësaj marrëveshjeje.

Të pranishmit  shprehën e mllefin e tyre duke brohoritur “hajnat në burg” , “Hashim të dua në Dubravë”, e të tjera.

Ndërsa nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti tha se ky është vetëm fillimi i i protestave e  demonstratave kundër kësaj marrëveshjeje.
 
Kryetari Albin Kurti mes tjerash tha edhe se deputetët që votuan për marrëveshjen ishin të disiplinuar më herët.
 
Artikulli është përpiluar nga Donjetë Hoxha, Bajramcurr Hasani dhe Xhejlane Aliti