Efekte të Menjëhershme të Marrëveshjes

Vendet e tjera që janë pjesë e Procesit të Stabilizim Asocimit të Bashkimit Evropian tashmë i kanë marrëveshjet e tilla.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Catherine Ashton ka dorëzuar sot para Komisionit Europian raportet e përbashkëta për Parlamentin dhe Këshillin Europian mbi progresin e Kosovës dhe Serbisë. 

Komisioni Europian miratoi rekomandimin për shtetet anëtare për mundësinë e hapjes së negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, dhe dhënien e datës për fillimin e negociatave për Anëtarësim të Serbisë në BE. 

Miratimi ndodh katër ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit.  

Marrëveshja parashikon që komuniteti lokal serb të zgjedh shefat e policisë lokale, ndërsa përbërja e policisë do të reflektojë strukturën etnike në terren. Drafti propozon gjithashtu më shumë gjyqtarë që vijnë nga minoriteti serb.

Asociacioni i Komunave serbe me kompetenca të gjera do të përfshijë katër komuna të udhëhequra nga serbët: Mitrovicën Veriore, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Që nga përfundimi i konfliktit të Kosovës në fund të viteve 1990, Kosova veriore ka qenë jashtë kontrollit të Prishtinës, ndërsa Serbia ka vazhduar të financojë sigurimin lokal, institucionet gjyqësore, shëndetësore dhe arsimore.

Rezultatet e bisedimeve të fundit dolën të ishin vendimtare për raportin e BE-së për progresin e Serbisë, prezantimi i të cilit ishte shtyrë.

(E plotësuar)

Të hënën Komisioni Evropian aprovoi propozimin i cili do t’i mundësonte Kosovës pjesëmarrjen në programet e BE-së. Nëse pajtohet Këshilli, dhe sapo të jetë nënshkruar marrëveshja nga të dyja palët, Kosova do të jetë në gjendje që të marrë pjesë në 22 programe të BE-së. Kushtet dhe afatet specifike për pjesëmarrje të Kosovës në secilin program të veçantë do të përcaktohet me anë të një Memorandumi të Mirëkuptimit për të cilin duhet të pajtohen Komisioni Evropian dhe Kosova.