Gazetarët Dëshmojnë në Rastin e Kërcënimit nga Lushtaku dhe të Tjerët

Në vazhdimin e gjykimit kundër kryetarit të komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e kërcënimit dhe cenimit të statusit të barbart të qytetarit të vendit ndaj gazetares Jeta Xharra, të enjten dëshmuan dy gazetarë.

Gazetarja Jeta Abazi, autorja e emisionit kritik të “Jeta në Kosovë” ndaj komunës së Skënderajt, foli për rastin në fjalë ndërsa kolumnisti i gazetës “Koha Ditore” Halil Matoshi për përvojat e tij.

Para se gazetarët të fillonin me dëshmitë e tyre, i pandehuri Qani Mehmedi tha se “do të ngrehë padi penale ndaj Jeta Xharrës dhe avokatit të saj kundër krimit në gazetari dhe kundër fjalës së lirë”.

“Unë nuk do të marrë pjesë në shqyrtime të tjera nëse më shkelen të drejtat”, tha Mehmedi.

Kjo bëri që prokurorja ta njoftojë gjykatën se nëse i pandehuri nuk do të paraqitet në shqyrtime, ajo do ta kërkonte masën e paraburgimit për të pandehurin Mehmedi.

Halil Matoshi, i ftuar nga prokurorja speciale Maria Bamieh, deklaroi se ka 30 vjet që merret me gazetari ndërsa kishte 4 vjet që ishte kolumnist i “Kohës Ditore”.

Në një shkrim që ai kishte bërë kishte folur për paradigmën e tradhtarëve dhe patriotëve në Kosovë. Ky shkrim, sipas Matoshit, kishte shkaktuar reagime normale, pos një reagimi nga kryetari i veteranëve të UÇK-së, i cili, në një letër të hapur drejtuar Matoshit, i kishte thënë të ketë kujdes që të mos rrëshqas në tradhti.

Matoshi tregoi se edhe ishte sulmuar fizikisht, por se nuk mund ta lidhte sulmin fizik kundër tij me reagimin e kryetarit të veteranëve.

Ai në pyetjen prokurores se si i kuptonte shprehjet “spiun të Serbisë” dhe “tradhtar”, tha se “këto fjalë përdoren për diskreditimin moral në publik”, duke mos e thënë se për çfarë lloj tradhtie bëhet fjalë.

Matoshi për referimin ndaj Jeta Xharrës si spiune të Serbisë kishte dëgjuar nga mediat. Por, ai refuzoi të thellohej pasi tha se ishte në mes kontestit të kolegëve të tij.

“Liria e shtypit në Kosovë është shtrënguar nga pushteti i politikës. Por, profesionistët ia dalin të shkruajnë duke shpërfillë kërcënimet që i marrin”, shtoi ai.

“Ka shtrëngime nga politika, ekonomia dhe shefat e kompanive mediale. Halil Matoshi”

“Ka shtrëngime nga politika, ekonomia dhe shefat e kompanive mediale”, përshkroi Matoshi gjendjen e lirisë së medieve në vend.

Por kur Qani Mehmedi e pyeti se si Matoshi e kishte kuptuar shkrimin e Mehmedit në Infopress, Matoshi tha: “Edhe atëherë e kam shpreh mendimin tim, e që besoj që nuk ka qenë i mirë për ty”.

Për gazetarin Matoshi liria e shprehjes përfundon aty ku ka thirrje për dhunë dhe vrasje.

Jeta Abazi, ish-gazetarja e emisionit “Jeta në Kosovë”, dëshmoi para gjykatës se si ajo e kishte përgatitur reportazhin e transmetuar dhe se si ajo ishte ndier pasi që kishin filluar shkrimet e gazetave.

Abazi, e cila aktualisht nuk punon si gazetare, tregoi se si ajo kishte shkuar me kameramanin dhe shoferin në Skenderaj që ta realizonte reportazhin për komunën si në çdo komunë tjetër dhe kishte intervistuar opozitën, kryetarin e invalidëve të luftës, një drejtoreshë shkolle, shumë qytetarë si dhe kishte tentuar ta merrte në pyetje edhe zyrtarin për informim.

Në zyrën për informim të komunës së Skenderajt, ajo tregoi se u kishte dalë një njëri dhe i kishte përzënë.

Dëshmitarja tregoi se kur kishte shkuar të merrte pamje për shtëpinë e kulturës, që kryetari Lushtaku kishte premtuar ta rregullonte, një person i ishte afruar dhe e kishte kapur kamermanen për floku dhe u kishte thënë që të largoheshin.

Abazi tregoi se si rrugës kishin parë një patrullë policie. Gazetarët ishin ndaluar dhe policia i kishte përcjellë në stacion që të japin deklarata për rastin.

Reportazhi ishte transmetuar më pas në maj.

Prokurorja Bamieh u interesua më tepër rreth reagimeve që ishin pas emisionit.

“Kur bisedoja me njerëz, jepnin komente se nuk e kanë parë emisionin por e kanë lexuar në gazetë. Jeta Abazi

“Reagimet kanë qenë se nuk është analizuar se reportazhi ka qenë për Skenderajn, por është marrë si storje kundër luftës dhe kundër vlerave të UÇK-së. E kur bisedoja me njerëz, jepnin komente se nuk e kanë parë emisionin por e kanë lexuar në gazetë”, tha Abazi.

Ajo tregoi se si ishte ndjerë keq kur ishte quajtur spiune e Serbisë dhe kundërshtare e Drenicës, ndërsa tha se në atë kohë kishte vetëm 21 vjet.

“Qy kjo shpijunja”, “oj shpijune” e fjalë të tilla e kishin përcjellë gjatë asaj kohe dëshmitaren në rrugë, tha ajo.

Jeta Abazi tregoi se si familja e saj ia kishte ndaluar për një kohë të dilte vetëm në rrugë dhe në makinë.

“Pas një kohe pata një aksident me makinë, një makinë pa targa më ka rënë nga prapa…nuk e di kush ishte se më mëshoi dhe iku…çdo gjë e lidhja me këtë rast”, tha Abazi.

Abazi i tha trupit gjykues se kur ajo kërkonte emrin e saj në “google” asaj i shfaqej prapashtesa “shpijuni”.

“Mos ec kaq shlir qysh je ty ec, nuk i ki punët qaq mirë”, i ishte shkruar Jeta Abazit në një sms që i kishte ardhur në telefon vitin e kaluar. Ajo këtë e kishte raportuar në polici.

Abazi tregoi se si kur pas një viti të transmetimit të emisionit, Sami Lushtaku kishte ardhur në studio të tyre për debate komunale, i ishte afruara Jeta Abazit dhe i kishte thënë: “Të kërkoj falje dhe nuk të nguci më”.

Jeta Abazi po ashtu tha se Infopress-i kishte arritur të krijonte përshtypjen e të gjithëve se emisioni ishte kundër Drenicës.

I pandehuri Rizah Hajdari tha: “Shpreh keqardhjen time për atë që jeni ndjerë e kërcënuar, të njëjtën e kam thënë edhe për Jeta Xharrën dhe më duket se duhet ta them për të gjitha Jetat”.

Ndërsa pas një pauze të shkurtër, kur palët u kthyen në shqyrtim para se të futej trupi gjykues, Sami Lushtaku iu drejtuar Jeta Xharrës me fjalët: “Valla bre Jeta Xharra boll aktore ishe kon, në Holliwood të kisha çu”.

Në fund edhe Qani Mehmedi i kërkoi falje Jeta Abazit për krahasimet që i kishte bërë asaj si detektive e Serbisë.

Jeta Abazi tha se reportazhi i saj nuk kishte të bënte asgjë me Drenicën ose me Skenderajn, por vetëm me qeverisjen e komunës.

Seanca e radhës mbahet të premten dhe do të dëgjohet kamermanja Vlora Dërvodeli.