“Axos” Ka Plane Për “Call Centers”

Firma gjermane Axos Capital, Gmbh nëpërmjet Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, lëshoi të enjten një kumtesë ku prezanton planet për të ardhmen e ndërmarrjes publike të telekomit.

Kompania pohoi se bashkë me partnerët në konzorcium janë investues në sferën e teknologjisë në SHBA dhe Europë. Në kumtesë nuk përmendet konkretisht asnjë investim i realizuar në të kaluarën.

Një ditë më herët pikërisht për mungesë të dhënash kompania ishte kritikuar nga lëvizja opozitare “Vetëvendosje” e treta në vend për kah fuqia e votave.

Axos po ashtu për herë të parë njoftoi se këshillohet nga British Telecom dhe nga Telecom Italia.

Kompania tha se ka një plan që do ta realizojë në të ardhmen e i cili do të krijojë vende pune për kosovarët.

“…ekzistojnë plane për ofrimin e shërbimeve online, të cilat do të përbëjnë mundësi të reja punësimi për mijëra qytetarë të Kosovës, në formë të qendrave të thirrjes për përkrahje teknike për kompanitë europiane”, thuhet në kumtesën e “Axos”.

Po ashtu konzorciumi bazuar në këtë njoftim do t’i ofrojë Republikës së Kosovës mbështetje për të siguruar kod shtetëror ndërkombëtar, siguri për punonjësit, investime afatgjate, krijimin e 1 mijë vendeve të reja të punës përmes partnerëve të saj ndërkombëtarë, kulturë europiane në menaxhim si dhe qasje unike globale në produkte dhe zgjidhje të telekomit.