Duan “Të Përgatiten” për Burimet e Gazetarëve

Komisioni Parlamentar për Media nuk ka shqyrtuar projektligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë të mërkurën ashtu siç ishte përcaktuar me agjendën e këtij komisioni pasi që anëtarë të komisionit kanë kërkuar më shumë kohë që të përgatiten për diskutim.

Idriz Vehapi, kryetari i këtij komisioni i cili vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar që të shtyhet shqyrtimi i ligjit.“Kemi shumë pika të rendit të ditës dhe unë kam një takim tjetër”, ka arsyetuar Vehapi propozimin e tij.

Ai është mbështetur nga Sadri Ferati i cili në këtë komision përfaqëson Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Deputetja tjetër, Xhevahire Izamku, e cila po ashtu përfaqëson PDK-në në komision, ka mbështetur idenë që të shtyhet shqyrtimi i projektligjit.

“Jemi të interesuar ta mbështesim ligjin por duhet ta trajtojmë seriozisht”, ka thënë Izamku gjatë mbledhjes së komisionit.

“Kemi shumë pika të rendit të ditës dhe unë kam një takim tjetër” Idriz Vehapi

Ndërkohë, fjalën e ka marrë propozuesja e këtij projektligji, Alma Lama, e cila ka kërkuar që ai të shqyrtohej të mërkurën. “Nuk bëhet nami nëse shtyhet shqyrtimi i tij por meqenëse është shtyrë shumë do të doja që projektligji të shqyrtohej sot”, është shprehur Lama.

Pas diskutimeve, komisioni vendosi në mënyrë unanime që shqyrtimi i projektligjit për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë të bëhet të mërkurën e ardhshme më 10 prill 2013.

Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media është komision funksional dhe përbëhet nga njëmbëdhjetë deputetë, përkatësisht, Idriz Vehapi Xhevahire Izmaku dhe Ramë Vataj nga PDK, Eqrem Kryeziu, Lirie Kajtazi dhe Sadri Ferati nga LDK, Enis Kervan nga Grupi 6+, Teuta Haxhiu nga AAK, jeton Svirca nga KKR Afrim Kasolli nga VV dhe Milivoje Stojanovic nga SLS.

Të pranishëm ishin të gjithë deputetet përveç Enis Karvan dhe Milivoje Stojanovic.

Nëse projektligji aprovohet nga ky komision, atëherë ai do të kalojë në seancën plenare për lexim të parë.

Vonohet Kryetari i Komisionit për Media

Mbledhja e komisionit ishte paraparë të fillonte në ora 11 por në këtë kohë prezent në sallën e Parlamentit të Kosovës ka qenë vetëm Xhevahire Izmaku, e cila kishte arritur me kohë.

Të tjerët anëtarë kanë ardhur deri në 20 minuta vonesë, ndërsa më i vonshmi ka qenë kryetari i komisionit i cili është vonuar 30 minuta.

Atij i janë dashur edhe rreth 10 minuta konsultim me zyrtarë të Kuvendit të Kosovës përpara se të fillonte mbledhjen.

Mbledhja e komisionit ishte duke u monitoruar nga organizata lokale dhe ndërkombëtare dhe të pranishëm kishte edhe mediume.

Në ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka publikuar në faqen e tyre zyrtarë në internet një lajm rreth mbajtjes së kësaj mbledhjeje.

Jemi të interesuar ta mbështesim ligjin por duhet ta trajtojmë seriozisht. Xhevahire Izmaku

Lajmi i publikuar nuk ofron informata për të gjitha zhvillimet e komisionit, pasi që nuk tregon vendimin për shtyrjen e disa pikave të rendit të ditës, përfshirë atë për projektligjin për mbrojtjen e burimeve.
 
Përmbajtja e projektligjit

Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë rregullon çështjen e mbrojtjes së të drejtës së gazetarëve për të ruajtur burimin e tyre. (shih projektligjin)

Por kur do të jetë i obliguar një gazetar që të zbulojë burimet e tij, nëse aprovohet projektligji?

Gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias janë të detyruar të zbulojnë identitetin e burimit të informacionit vetëm me kërkesë të një gjyqtari , thuhet në projektligj.

Gjykatësi mund të urdhërojë zbulimin e burimit të informacionit “nëse është i nevojshëm për të parandaluar një kërcënim serioz të integritetit fizik me pasojë vdekjen të një ose më shumë personave”.

Ky projektligj parasheh për herë të parë në Kosovë definicionin e “gazetarisë”, “gazetarit”, “profesionistëve të mediave” dhe të “burimeve”.

Gazetari apo botuesi, i cili punon në media apo një ose më shumë nga bashkëpunëtorët e tij në pajtim me ligjin e zbatueshëm nuk mund të thirret të dëshmojë në gjykatë.

Sipas projektligjit “gazetari nënkupton mbledhjen, përgatitjen, përzgjedhjen, fotografimin, regjistrimin, shkrimin, redaktimin, raportimin apo publikimin e lajmit dhe informacionit që ka të bëjë me ngjarje vendore apo ndërkombëtare, të cilat janë me interes për t’i përhapur në publik”.

Ndërsa, gazetar konsiderohet “çdo person të vetëpunësuar apo të punësuar që jep kontribut direkt për mbledhjen, redaktimin, prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit për publikun, nëpërmjet një mediumi”.

Projektligji duket se nuk ofron mbrojtje për blogje ose për personat që mund të publikojnë informata, por nuk janë të punësuar ose vetëpunësuar.

Po ashtu, sipas këtij projektligji profesionistë të mediave nënkupton “stafin editorial dhe çdokënd, i cili gjatë ushtrimit të funksionit, mund të jetë në pozitë që të ketë njohuri për informacionin që mund të çojë tek zbulimi i burimit, pavarësisht nëse ky bëhet përmes mbledhjes, trajtimit editorial, produksionit apo shpërndarjes së informacionit”.

Termi profesionistë të mediave përfshin gjithashtu kameramanët, fotografët dhe stafin e tyre mbështetës siç janë shoferët, përkthyesit dhe të tjerët.

E burim konsiderohet “një person, i cili i ofron gazetarit një informacion të rëndësishëm, me kusht që gazetari të mos bëjë publik identitetin e tij”.

Momentalisht, legjislacioni penal në Kosovë i trajton gazetarët si dëshmitarë të liruar nga detyrimi për të dëshmuar.

Neni 127 i kodit të procedurës penale parasheh që gazetari apo botuesi, i cili punon në media apo një ose më shumë nga bashkëpunëtorët e tij në pajtim me ligjin e zbatueshëm nuk mund të thirret të dëshmojë në gjykatë.