Policia Nuk Ofron Mbrojtje Për Aktivisten e Kërcënuar

Përkundër kërcënimit për jetë në formën e një letre, të lënë të mërkurën në derën e banesës së saj në qendër të Prishtinës. Aktivistja e Vetëvendosjes Nazlie Bala nuk është vënë nën mbrojtje të policisë.

Kërcënimi ku thuhej: “Tlutemi mos e mproj turpin se tpret plumi ne ball”, supozohet se është një reagim ndaj paraqitjes së saj në emisionin “Në kërkim”, më 18 mars në RTK, ku Bala kishte shprehur mbështetjen e saj për një ndryshim në ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.

Policia ka nisur hetimet për këtë rast, ndërsa për aktivisten Bala nuk ka ofruar mbrojtje.

“Deri në këto momente nuk ka asgjë në atë drejtim”, thotë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë Rajonale në Prishtinë.

Në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet: “Mesazhi kërcënues i kësaj letre ka për qëllim frikësimin e gjithë atyre që kanë ngritur zërin për këtë temë me këtë çështje dhe heshtjen e krimeve të Serbisë”.

Edhe organizata të tjera vendase e ndërkombëtare kanë reaguar ndaj kërcënimit të aktivistes.

Qendra e Mediave e Grave, përmes një reagimi ka dënuar aktin e kërcënimit duke shprehur indinjatë të thellë ndaj këtyre akteve kërcënuese të cilat i konsideruan të ulëta.

Edhe Mbrojtësit e të Drejtave Civile (Civil Rights Defenders) dhe Fondacioni Kvinna till Kvinna shprehin shqetësimet e tyre dhe dënojnë fuqishëm kërcënimin me vdekje kundër Balës.

“I ftojmë të gjitha institucionet përgjegjëse të Kosovës që të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme për të siguruar mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në përputhje me detyrimet e tyre ndërkombëtare dhe vendase për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në reagim.

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të veprojnë në përputhje me rrethanat dhe menjëherë të hetojnë kërcënimin ndaj znj.Bala”.

Ndërkaq, KMDLNj-ja kërkon mbrojtje dhe siguri për aktivisten e kërcënuar.

“KMDLNj-ja kërkon që znj. Nazlie Bala të merret në mbrojtje nga Policia e Kosovës në mënyrë që të parandalohet ndonjë veprim i dhunshëm ndaj aktivistes së dikurshme shumëvjeçare të drejtave të njeriut e tash aktiviste politike”, thotë KMDLNj-ja.