21 Nxënës Lëndohen Gjatë Koncertit

Njëzet e një shkollarë pejanë janë lënduar në palestrën sportive “Karagaçi”, ku kishin shkuar për të ndjekur koncertin bamirës për t’i ndihmuar një vajze të sëmurë.

Kumrije Sh. ka pësuar lëndime më të rënda dhe është dërguar për kurim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), tha zëdhënësi i policisë në Pejë, Xhevat Ibra, për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Të lënduarit e tjerë janë shtuar në Spitalin Rajonal të Pejës dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

Sipas informacioneve fillestare, deri te aksidenti ka ardhur pasi është rrëzuar një rrethojë brenda palestrës, në të cilën nxënësit ishin mbështetur.

Sipas zëdhënësit Ibra, të rinjtë janë kryesisht të moshave të reja, përfshirë këtu nxënës të klasës së 8, 9, 10 dhe 11.

Në koncertin i cili kishte filluar në orën 13, kishin qenë të ftuar këngëtarë dhe grupe të ndryshme muzikore, për të ndihmuar Diellza Nimanajt nga Deçani, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë.

Zëdhënësi Ibra tha se policia dhe organet e tjera përgjegjëse kanë reaguar shpejt dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.