Mbi 32 Mijë Aplikime për Veteran të UÇK-së

Në mbledhjen e Komisionit qendror për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, që kryesohet nga ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, u bë e ditur se nga fillimi i këtij procesi janë tërhequr 42 mijë e 729 aplikacione. Nga to, deri më tani janë dorëzuar 32 mijë e 507 sosh.

Numër më i vogël i aplikimeve janë dorëzuar për njohjen e statusit të invalidit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nga 5 mijë e 126 aplikacione, janë kthyer 3 684 sosh.

Ndërsa, për statusin e dëshmorit të kombit, nga familjarë të ish-luftëtarëve të vrarë në luftë janë tërhequr 3 mijë e 232 aplikacione, nga të cilat deri më tani janë dorëzuar 2 060 aplikacione.

Kryetari i Komisionit, Agim Çeku, e ka vlerësuar pozitiv rrjedhjen e deritanishme të procesit, ndërsa ka ftuar që deri në përmbylljen e afatit të aplikojnë të gjitha ata që kanë kontribuar në luftë.

Ai tha se pas përmbylljes së afatit për aplikim, listat do të publikohen.

“Pas verifikimit, të gjitha listat do të publikohen. Opinioni do ta dijë kujt i është njohur statusi… Do të bëhen publike, me qëllim që të ftohen të gjithë ata që kanë vërejtje, të ankohen”, tha Çeku.

Në takimin e këtij komisioni, Çeku njoftoi se është marr vendim për kategorizimin e pjesëmarrësve të luftës, të cilët do të ndahen në veteranë, në dëshmorë të kombit, invalidë të luftës, si dhe kategoria e “pjesëmarrësve të tjerë”, ku do të hyjnë të gjithë përfaqësuesit politikë dhe pjesëmarrësit e tjerë që nuk kanë qenë të armatosur, por kanë kryer detyra të ndryshme për UÇK-në.

Procesi që ka për synim të identifikojë se kush ka të drejtë për përfitimet e veteranëve që luftuan në konfliktin e viteve 1990-të kundër forcave serbe nisi më 15 nëntor 2012 dhe do të përfundojë më 28 shkurt të këtij viti.

Autoritetet nisën projektin sepse ka pasur shifra të ndryshme për numrin e luftëtarëve të kohës së luftës.

Pas luftës, autoritetet thanë se rreth 20 000 anëtarë të UÇK-së morën pjesë në luftën kundër forcave të Serbisë, por vetë organizata e veteranëve të UÇK-së insiston se deri në 40 000 vetë kanë qenë të përfshirë në kryengritje.