Tolaj Gjykohet në Kinema

Kinemaja ABC1 të premten ka mbledhur një numër të madh të njerëzve, jo për shkak të shfaqjes së ndonjë premiere filmi, por se kjo kinema është kthyer në gjykatore.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kontraktuar Kinemanë ABC1 në mungesë të sallave të gjykimit.

Rasti kundër ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës Bujar Bukoshi, ish-sekretarit permanent të miistrisë së shëndetësisë Ilir Tolaj dhe të tjerëve është i pari që ka filluar të gjykohet në kinema. Ata po gjykohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve.

Të premtën filloi paraqitja e fjalive hyrëse të prokurorëve dhe mbrojtësve të të pandehurëve.

Dy nga avokatët kërkuan ndarjen e procedurës për klientët e tyre – pra gjykimet e tyre të bëhën ndaras nga Tolaj, Bukoshi dhe të tjerët.

Avokati Ramiz Krasniqi i kujtoi gjykatës se nga seanca e fundit ishte mbetur që të ndahet procedura për Nexhat Shabanin dhe Imer Ajetit. 

Kryetarja e kolegjit tha se kjo do të bëhet pasi që prokurori të thoshte fjalën hyrëse.  

Ndarjen e procedurës e kërkoi edhe mbrojtësi i Bukoshit, Besnik Berisha. Ai kërkoi nga gjykata që të vendosë edhe lidhur me imunitetin e Bukoshit. 

Kryetarja e kolegjit tha se ende nuk është vendosur për ndarjen e procedurës ndërsa për atë se a ishin veprimet e Bukoshit ishin në kuadër të imunitetit të tij do të kuptohet gjatë seancës dhe dëshmive që do të paraqiten nga prokuroria e mbrojtja.

Prokurori Special Erik Larson në fjalën e tij hyrëse bëri një përmbledhje të aktakuzës dhe të provave nga akuza. 

Ai kishte përgatitur një skemë ku Tolaj është prezentuar si “bosi” i të gjitha veprimeve që kanë ndodhur në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa sa herë që i referohej Tolajt, prokurori përmendte  edhe “Klikën e tij” siç i quante të pandehurit e tjerë. 

Në fjalinë e tij hyrëse prokurori ka përmendur dëmtimet, që sipas tij, u janë bërë të dëmtuarve nga të akuzuarit.

Arianit Koci, avokat i familjes Deshishku dhe kompanisë Jona Med, të cilët kanë cilësinë e të dëmtuarve në këtë çështje, tha në fjalën e tij hyrëse ndër të tjera se “Jona Med është dëmtuar materialisht dhe moralisht për një kohë të gjatë. Familja Deshishku ka pas trauma nga fletëparaqitjet në polici kundër tyre”.

Të dëmtuarit e tjerë, të cilët nuk kishin avokatë, deklaruan se e mbështesin prokurorin në deklarimin e tij duke kërkuar drejtësi në këtë rast.

I pari nga mbrojtja fjalën e mori avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtësi i Imri Ajetit. Ai ndër të tjera tha se “në rastin e të mbrojturit tim nuk ka asnjë provë që tregon se ai e ka penguar procesin apo ngritjen e aktakuzës”.

Pasi që avokatja e Nexhat Shabanit kishte hequr dorë nga mbrojtja e tij, i pandehuri tha se nuk do të jap fjalën e tij hyrëse. 

Me kaq edhe u nda procedura për të dy të pandehurit, të cilët do të gjykohen më vonë në një proces tjetër gjyqësor. 

Pas pushimit prej një ore, seanca ka vazhduar me deklarimin e avokatit Korab Rexhepi, mbrojtësi i Ilir Tolajt, ish sekretarit permanent në Ministrinë e Shëndetësisë. 

“Nuk më ka ndodhur shpesh që të mbroj dikë nga një ‘kartel i farmacisë’” siç i quajti ai kompanitë e dëmtuara në këtë çështje penale. Ai shtoi se “Tolaj u bë viktimë e luftës së këtyre karteleve të farmacisë”.

Sipas avokatit Rexhepi, veprimet e prokurorit janë më shumë veprimë politike. 

Aktakuzën prej 147 faqeve në të cilën janë të bashkangjitura edhe provat e kësaj lënde, avokati Rexhepi e quajti roman i cili nuk mbështetet në prova. 

Sipas tij “Tolaj nuk ishte njeriu i vetëm që udhëhiqte”. 

Naser Peci, avokati mbrojtës i të pandehurës Arbenita Pajaziti, e bëri një elaborim më të gjatë të mos veprimeve dhe veprimeve që i kishte marrë e mbrojtura e tij. 

Sipas avokatit, “e mbrojtura e tij për shtatë vite sa kishte punuar në MSh, kishte pasur një pozitë të zyrtarit të thjeshtë dhe nuk kishte qenë asnjëherë në pozitat që thuhet në aktakuzë”. 

“Shpallja dhe anulimi i tenderit nuk ishte detyrë e Arbenita Pajazitit” përfundoi avokati Peci. 

Avokati Fatmir Aliu, i cili në këtë çështje penale mbron të pandehurin Ismet Hyseni, pati shumë vështirësi në leximin e fjalës së tij hyrëse. 

E derisa po e lexonte dhe argumentonte këtë fjalë avokati Aliu, prokurori special Erik Larson pati kohë të kotej pak në seancë, derisa e zgjoi asistentja e tij. Zgjimi nga gjumi shkaktoi të qeshura në sallën e gjykimit.

Ashtu si prokurorin edhe policët që po mbanin sigurinë e sallës kanë fjetur gjatë gjykimit. 

Për të kaluar këtë situatë, menjëherë pas përfundimit të fjalës nga avokati Aliu, kolegji bëri një pushim të shkurtër. 

Pas pushimit, fjalën e mori avokati Besnik Berisha, mbrojtës i Bukoshit.

“Bujar Bukoshi si një baba, bashkëshort dhe qytetar i mirë në vitin 2010 e ka marrë detyrën më të vështirë në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ministri e cila ka pas kërkesat më të mëdha dhe buxhetin prej vetëm 20 milionë eurove”. 

“Ai mori Ministrinë e Shëndetësisë për ta luftuar korrupsionin dhe dukuritë negative edhe përkundër faktit se kishte një buxhet të vogël” tha avokati Berisha. 

Avokati tregoi se si Bukoshi e kishte marrë ministrinë me një minus prej 1.4 milion eurosh, pasi që ashtu kishte vendosur Gjykata Ekonomike. 

Ndaj vendimit të Gjykatës Ekonomike dikush qëllimisht nuk ka shkuar në seanca duke e lëshuar kështu afatin e ankesës. 

Për këtë sipas avokatit Berisha, Bukoshi kishte paraqitur kallëzim penal tek ish kryeprokurori special i EULEX-it Johannes Van Vreesëijk, të cilit i ka treguar se si ministria i kishte humbur 1.4 milion euro. 

Në fund avokati Berisha lidhur me imunitetin dhe veprimet e të pandehurit Bukoshi tha “imagjinoni ju gjykatës të nderuar që të jeni në vendin e klientit tim, që ju të akuzoheni për një aktvendim ose aktgjykim që keni marrë. A do të dëshironi që procedura kundër jush të jetë e drejtë dhe të prisni një gjykim të gjatë për pafajësinë apo do të pyesni nëse procedura kundër jush është e ligjshme”?

Gjatë seancës, fjalët hyrëse i dhanë edhe mbrojtësit e të pandehurve të tjerë. 

Avokati Ramë Gashi, mbrojtësi i të pandehurit Hajrullah Fjeza, tha se i mbrojturi i tij nuk ka pasë pozitë të lartë në ministri por se ka qenë vetëm një shërbyes civil në rolin e kontrolluesit të cilësisë së barnave. 

Seanca e radhës në këtë çështje do të mbahet më 13 shkurt në të cilën do të dëshmojë Bekim Deshishku i cili është pronari i Jona Med.