10 Veta Protestuan Qetë te Manastiri, Thotë Policia

Këshilli organizativ i shoqërisë civile në Deçan ka organizuar të premten “një aktivitet simbolik”, duke shprehur pakënaqësinë lidhur më vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për dhënien e pronave shoqërore Manastirit të Deçanit.

Policia e Kosovës, e cila ka mbikëqyrur këtë aktivitet, ka reaguar për mënyrën e raportimit nga disa medie serbe, të cilat kanë raportuar se Manastiri i Deçanit është vënë në “shtetrrethim” nga ekstremistë shqiptarë.

“Policia e Kosovës demanton lajmet e publikuara nga disa media për ‘shtetrrethimin’, siç e kanë quajtur ato, të Manastirit të Deçanit, duke publikuar edhe foto që nuk korrespondojnë me realitetin dhe aktivitetin e sotshëm në Deçan” , thuhet në një komunikatë të policisë së Kosovës.

“Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 10 anëtarë të këshillit organizativ. Policia e Kosovës paraprakisht ka ndërmarrë të gjitha veprimet policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, me qëllim që ky aktivitet të kalojë i qetë dhe pa incidente”, tha policia.

“10 anëtarët e Këshillit Organizativ, pas përfundimit të këtij aktiviteti janë shpërndarë të qetë”.

Kryetari i Këshillit Organizativ të shoqërisë civile në Deçan, Adem Lushaj, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se qëllimi i këtij aktiviteti ishte të tregohej se “Manastiri është trashëgimi kulturore e jona dhe që të mos pretendohet marrja e pronave tona”.

Lushaj tha se policia, e cila ishte paralajmëruar paraprakisht për aktivitetin, nuk i ka lejuar aktivistët të shkonin më tutje afër manastirit, përveç t’i dërgonin dhe t’i vendosnin dy pankarta që mbanin në duar.

Adem Lushaj

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo demonstratë ishte thirrje për shkatërrim të këtij tempulli, nga ekstremistët, të cilëve, sipas tij, po iu prin kryetari i komunës.

“Në të gjitha protestat, të cilat i organizon kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, me grupet ekstremiste të këtyre trevave, thirret për dëbim të priftërinjve dhe shkatërrimin e Manastirit të Deçanit, që është një trashëgimi kulturore botërore”, është shprehur Janjiqi.

Megjithë numrin e vogël të protestuesve, Janjiqi konsideron se ekziston kërcënim real, pasi manastiri është sulmuar katër herë në 13 vjetët e fundit. “Ka arsye reale për brengë, dhe në raste të tilla, jo vetëm që mund të vijë deri te humbja e jetëve, por ka rrezik edhe për dëmtimin e madh të një trashëgimie kulturore botërore”.
 
Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, ka thënë se vetë nuk ka qenë në protestë, por i përkrah demonstratat e tilla, përderisa nuk provokojnë incidente.

Sipas tij, kanë qenë 10 veta nga këshilli organizativ, me dy-tri pankarta, që kanë provuar të shkojnë deri te manastiri, në mënyrë paqësore. “Por, janë ndaluar nga KFOR-i dhe kjo është e gjitha që ka ndodhur”.

Sipas KFOR-it, 20 deri 25 veta kanë protestuar qetë para Manastirit të Deçanit dhe janë shpërndarë pas një ore, pa provokuar asnjë incident. Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Nowitzki, i tha REL-it se demonstruesit me pankarta në dorë, i janë bindur perimetrit të sigurisë që kanë vendosur trupat paqeruajtëse.