EULEX: Ilir Tolaj Mund Të Ikë Si Zharku

Prokuroria e EULEX’it e përshkruan Ilir Tolajn si njëri me lidhje të forta politike prandaj është kundër kthimit të tij në shtëpi.

Sipas tyre, Tolaj mund të arratiset jashtë vendit njëjtë siç ka bërë edhe Xhabir Zharku, të ndikojë tek dëshmitarët si dhe të korruptojë zyrtarë. 

Këtë Tolaj sipas prokurorëve e kishte bërë edhe gjatë kohës sa ishte në paraburgim kur në një rast kishte planifikuar korruptimin e gjykatësit të EULEX’it Francesco Florit.  

Për shkak të këtyre rrethanave prokurorë të EULEX-it dorëzuan të premtën një ankesë kundër caktimit të masës së arrestit shtëpiak për Ilir Tolajn, ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë. 

Një ditë më herët, të enjtën më 10 janar kolegji i përbërë prej gjykatësve Conerlie Peeck, Vladimir Mikula dhe Shemsi Hajdini vendosi që Tolaj të kthehet në shtëpi e po ashtu edhe të pandehurit tjerë Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza e Bekim Fusha të mbrohen në liri. 

Sipas prokurorisë ky vendim i gjykatësve është i gabuar dhe të pandehurit duhet të kthehen në paraburgim, përkatësisht në arrest shtëpiak.

Prokuroria pohon se vendimit i mungon arsyetimi dhe se “është e çuditshme se si arsyetimi për një aktakuzë prej 147 faqesh dhe 80 dosjeve të provave është më pak se tri të katërtat e një faqe”.

Ankesën e prokurorëve nuk ka dashur ta komentojë Korab Rexhepi avokat i ri i Ilir Tolajt. 

Ish-sekretari më herët mbrohej nga Bajram Tmava. 

Ndërkohë prokurorët përmendin se ka rrezik që Tolaj të ikë jashtë vendit njëjtë siç ka bërë ish’kryetari i Kaçanikut Xhabir Zharku. 

Rasti i Zharkut sipas prokurorëve duhet të merret parasysh pasi që ia ka dalë të largohet nga Kosova për shkak të lidhjeve të forta politike. 

Edhe Tolaj, sipas prokurorëve, ka lidhje të forta politike, ka burime të bollshme financiare, rreth 300 mijë euro nëpër bankat e Kosovës si dhe është i akuzuar për vepra serioze kriminale. 

Ish-sekretari i MSH-së sipas kësaj ankese ishte i rrezikshëm edhe në kohën sa ishte në paraburgim që është masë me rreptë se sa arresti shtëpiak. 

“Gjykata nuk ka treguar se si Tolaj, i cili sa ishte në paraburgim ka arritur të pengojë drejtësinë, nuk do ta bëjë një gjë të tillë me masa më të lehta”, thuhet në ankesë.

Tolaj sipas prokurorëve kishte thyer rregullat e burgut duke përdorur telefon mobil dhe duke pasur vizita të paautorizuara. 

Ai nga burgu, sipas kësaj ankese, kishte bërë plane për neutralizim të dëshmitarëve dhe korruptim të zyrtarëve.

Plani për ta korruptuar gjykatësin e EULEX’it 

Prokurorët pohojnë në ankesë se “gjykata nuk ka marrë në konsideratë përgjimet telefonike të cilat përmendin lidhjet e Tolajt me Hashim Thaçin, Hajredin Kuqin dhe Astrit Haraqinë”.

Por në përgjimet e siguruara nga gazeta dhe në aktakuzën kundër Tolajt nuk figuron se kryeministri Hashim Thaqi ka kontaktuar drejtëpërsëdrejti me të pandehurit.

Ndërsa, për ministrin Hajredin Kuçi në përgjime thuhet vetëm se i është dërguar një porosi telefonike por nuk ka të dhëna që tregojnë që ministri kishte komunikuar me të pandehurit.

Në ankesë pohohet se Kolegji Gjyqësor nuk ka marrë parasysh faktin që Tolaj është munduar të ndikojë në prokurorë dhe ekspertë. 

“Ai gjithashtu kishte dashur të korruptojë gjykatës për të siguruar lirim e tij, bazuar në përgjimet të cilat i janë bashkangjitur kësaj ankese”, theksohet në ankesë. 

Sipas prokurorisë së EULEX-it, në përgjime dëgjohet Imer Ajeti i akuzuar tjetër në këtë rast duke i treguar Ilir Tolajt për marrëveshjen me Francesko Florit.

“…thuaj atij që duhesh të na tregosh nëse do të merresh më këtë dhe të na garantosh dhe se çfarë duhet të bëjmë ne për të”.

Në po të njëjtat përgjime thuhet se: 

“ne e dimë çfarë autoriteti ka dhe nëse ai garanton me njerëzit e tij… do të ulemi dhe të bisedojmë për çështje të tjera, krejt çka dua është garantimi e tij që ky rast do të kryhet shpejt dhe urgjentisht”. 

“Besohet nga konteksti i bisedës se ata duan të dinë sa do të kushtojë që të bëjnë Fracesko Florit të zhdukë këtë rast…”, thuhet në ankesën e prokurorëve. 

Në aktakuzën e Tolajt dhe të tjerëve, kopjen e së cilës e posedon gazeta, thuhet se Francesko Flori lidhur me telefonatat ku përmendej emri i tij kishte deklaruar se Ejup Kamberi kishte ardhur ta takonte por Floriti kishte kërkuar që ai të largohej.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuan me Zyrën për Media të EULEX-it dhe ka kuptuar se Florit nuk është duke shërbyer më si gjyqtar i misionit evropian për sundim të ligjit. 

Gjithashtu, EULEX nuk posedon informata se si mund të kontaktohet Francesko Flori.

Sa i përket “Njeriut nga Kaltrina”  në përgjime thuhet: 

“Nëse ky person do të përkushtohej nga fillimi, 80 për qind e njerëzve do të tërhiqeshin dhe nuk do të deklaronin. Aspekti politik është neutralizuar. Duhet të mbyllim këtë kapitull.”

“Nga kjo është e qartë që “Njeriu nga Kaltrina” ka ndikim të madh politik” 

Në një përgjim tjetër Tolaj kërkon nga gruaja e tij që të gjejë këshilltarin politik të shefit të minisionit për ta involvuar në rast.

“Iliri po thotë që ai është francez dhe punon si ndërkombëtarë. Ai është këtu që 7-8 vjet. Më herët ishte ushtarak, ka qenë në një Legjion të Huaj dhe ka qenë në Algjeri. Është rreth 60 vjeçar…”