50 Punëtorëve në Gjykata s’u Vazhdohen Kontratat

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) nuk ua ka vazhduar kontratat rreth 50 punëtorëve të administratës në gjykatat e vendit. Të gjithë këta, të cilët tashmë kanë marrë njoftimin se pas 31 dhjetorit 2012 nuk janë më punëtorë të gjykatave, kanë qenë të punësuar për një afat të caktuar, një apo dyvjeçar.

KGjK-ja dhe sindikalistët e Judikaturës sqarojnë se mosvazhdimi i kontratave nuk lidhet me akt-emërimet që iu dhanë 1800 punëtorëve të administratës, në fillim të vitit, ku mes tjerash thuhej: “Emërimet me afat të caktuar nuk krijojnë asnjë detyrim ligjor për vazhdimin e marrëdhënies së punës”.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, i tha Gazetën Jeta në Kosovë, se ka pasur disa keqkuptime në media për mosvazhdimin e kontratave. “Nuk është larguar asnjë punëtor i rregullt, këto janë spekulime”, tha ai.

“Janë larguar rreth 50 punëtorë, të cilët kanë pasur kontrata të përkohshme, e të cilat iu kanë skaduar. Po ashtu, janë ndërprerë kontratat për disa të punësuar në bazë të disa projekteve, siç është ai i USAID-it. Të gjithë këta punëtorë kanë qenë në dijeni qysh në fillim të punës, se do të punojnë përkohësisht, tani nuk kemi bazë ligjore për t’i mbajtur më tutje”, ka shpjeguar Peci.

Më tutje, kryesuesi i KGjK-së tha se nëqoftëse  në të ardhmen se do të ketë nevojë për punëtorë të rinj, do të hapen konkurse dhe këta punëtorë do të kenë përparësi.

Sindikata e Pavarur e Judikaturës e Kosovës (SPJK), në fillim të këtij viti, kishte reaguar pas një vendimi të Sekretariatit të KGjK-së për lëshimin e akt-emërimeve me afate të caktuara, për të gjithë punëtorët e administratës së gjykatave.

Sindikalistët kishin theksuar se kjo është në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe kishin shprehur frikën se nga ky “kurth” do të pësojnë shumë punëtorë, në atë mënyrë që fillimi i vitit 2013 do ta gjejë një pjesë të stafit jashtë dyerve të gjykatave.

Tani, sindikata nuk e kundërshton vendimin e KGjK-së. Ismet Mehmeti, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Judikaturës së Kosovës, tha se nuk ka asgjë kundër vendimit të KGjK-së.

“Ajo çfarë ne kemi kërkuar të mos ndodhë, na u realizua. Asnjë punëtor që ka më shumë se dy vjet përvojë punë, nuk është larguar nga puna”, i tha ai, Gazetës Jeta në Kosovë.
“Ndërsa ata që kanë më pak se dy vjet përvojë pune, edhe kur janë punësuar, me konkurs ka qenë e paraparë që punësohen me afat të caktuar, një apo dyvjeçar dhe janë pajtuar me këtë qysh atëherë. Ne si sindikatë nuk mund të japim vërejtje në këtë drejtim”, shtoi Mehmeti.

Gazeta Jeta në Kosovë, në shkurt të këtij viti, kishte raportuar për pakënaqësitë që kishin shprehur sindikatat për lëshimin e akt-emërimeve ndaj punëtorëve të administratës në gjykata.

Frika dhe pasiguria e punëtorëve në lidhje me marrjen e këtyre akt-emërimeve të lëshuara nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës vinte nga shkaku i një përvoje të hidhur. Në vitin 2006, Qeveria kishte propozuar reduktimin e punëtorëve administrativë për 146 pozita.

SPJK, me presion të vazhdueshëm sindikal, kishte arritur që ta zvogëlojnë këtë numër duke bërë që nga puna të largohen 86 punëtorë. Mirëpo, në fillim të vitit 2007, në pozita të njëjta ishin pranuar më shumë se 100 punëtorë të rinj.

Milaim Bislimi, nënkryetar i degës së sindikatës, kishte shprehur frikë se e njëjta gjë do të përsëritej.

Në akt-emërimet e lëshuara nga Sekretariati, në paragrafin e gjashtë thuhet: “Emërimet me afat të caktuar nuk krijojnë asnjë detyrim ligjor për vazhdimin e marrëdhënies së punës”.

Shërbyesit civilë druheshin se me këtë pikë do të manipuloheshin dhe në janar do të hidheshin jashtë dyerve të gjykatave.

Përveç Sindikatës së Pavarur të Judikaturës së Kosovës, pakënaqësi me akt-emërimet e lëshuara nga Sekretariati i KGjK-së kishin shprehur edhe degët sindikale nëpër komuna.

Asllan Nimani, kryetar i degës sindikale në Gjakovë, kishte thënë se me këto akt-emërime janë rrezikuar 1 800 punëtorë të cilët shërbejnë në gjykatat e Kosovës.

“Kjo çfarë ka ndodhur me ne është e pakuptueshme. Pasi ne po quhemi shërbyes civilë, pse atëherë vetëm ne shërbyesit civilë të gjykatave morëm akt-emërime me afat të caktuar, ndërsa të gjithë shërbyesit e tjerë të qeverisë kanë marrë kontrata të përhershme. Këtu siç duket është duke u përgatitur diçka”, kishte thënë Nimani.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka reaguar ndaj akt-emërimeve të lëshuara nga SKGJK-ja duke thënë se me to janë shkelur dy ligje.

“Është shkelur Ligji i Punës dhe Ligji për Shërbyesit Civilë”, ka thënë kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi.

“Në asnjërin nga këto ligje të lartcekura nuk thuhet se mund t’u lëshohen shërbyesve civilë akt-emërime me afat të caktuar. Në ligjin mbi shërbyesit civilë thuhet: ‘Nëse punëtori ka përvojë pune mbi 10 vjet, atëherë duhet të marrë kontrata të përhershme’. Në këtë rast kemi punëtorë që kanë më shumë se 30- 40 vjet përvojë pune”.

BSPK-ja i kishte bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të tërhiqte këto akt-emërime, në të kundërtën kishte paralajmëruar se do t’i përkrahte vendimet e degëve sindikale, në çfarëdo forme që të jenë ato.

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Avdiu, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se lëshimi i këtyre akt-emërimeve me afat të caktuar ka ndodhur për shkak se në vitin 2013 do të bëhet riorganizimi i gjykatave. “Nuk mund ta dimë se kush ku do të mbetet, mirëpo ju jap fjalën se asnjë punëtor nuk do të mbetet jashtë dyerve të gjykatave, sikur më 2006”, ishte zotuar ai.