Presidentja: Shkelje Serioze e Rendit dhe Ligjit

Presidentja Atifete Jahjaga ka dënuar ashpër sulmin e sotëm mbi pjesëtarët e policisë së Kosovës nga siç thotë ajo ‘grupe huligane të dhunshëm nga Republika e Serbisë’.

Jahjaga theksoi se këto grupe kanë hyrë në Kosovë për manifestime dhe nuk ka pasur kërkesë paraprake nga organet përkatëse të Kosovës. 

“Përpjekjet e këtyre grupeve të huliganëve, që me dhunë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, do të ndalohen sepse janë shkelje serioze e rendit dhe ligjit dhe përshkallëzojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë,” thuhet në kumtesën për shtyp të presidencës.  

Ajo tha se sulmi mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës me mjete të forta dhe me armë zjarri është plotësisht i patolerueshëm dhe është sulm mbi rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. 

“Presidentja Jahjaga, thekson se institucionet e Republikës së Kosovës do të mbrojnë me përkushtim sistemin demokratik të vendit dhe do të parandalojnë çdo përpjekje për destabilizim,” shkruan presidenca.    

Jahjaga i përkujtoi autoritetet serbe se politika e fqinjësisë së mirë është obligim dhe parakusht për anëtarësim në BE dhe në këtë mënyrë ata (autoritetet serbe) duhet që të pengojnë dhe parandalojnë përpjekjet e grupeve të huliganëve serbë për shkeljen e ligjeve të Republikës së Kosovës. 

Sot, policia e Kosovës ka ndaluar dy autobusë në Vushtrri që kishin hyrë në Kosovë nga Serbia përmes pikave kufitare në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës i ka deportuar për në Merdarë pasi që ka vërtetuar se personat ishin të dehur dhe agresivë. 

Në Merdarë, grupet serbe ka filluar të sulmojnë policinë e Kosovës ku 10 policë kanë kërkuar ndihmën mjekësore.