LDD Rishqyrton Koalicionin me AAK-në

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, dega në Pejë, i është drejtuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që ta rishqyrtojnë koalicionin, dhe në qoftë se kanë vullnet politik ta vazhdojnë koalicionin ndërmjet dy partive.

LDD kërkon të njëjtat poste në Kuvendin Komunal të Pejës, pra nënkryetarin e komunës si dhe dy drejtori, në të kundërtën do të pozicionohet në opozitë.

Zyrtarët kryesorë të “dardanëve” në Pejë, këtë të hënë, shpallën zyrtarisht aderimin në AAK, e cila në dy mandate radhazi, udhëheq Komunën e Pejës.

Kryetari i deritanishëm i Degës së LDD-së në Pejë, Shefqet Ukaj, i cili është edhe nënkryetar i Komunës, së bashku me dy drejtorë të drejtorive komunale, Zana Radoniqi, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik dhe Nimon Bricori, drejtor për Investime të Jashtme, po nga LDD, kanë aderuar në AAK.

LDD në Pejë, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka shqyrtuar gjendjes e krijuar në degë me rastin e ikjes së kryetarit të degës në radhët e AAK-së.

“Nga fakti që LDD është në koalicion me AAK-në në nivelin qeverisës lokal shtrohet nevoja për rishqyrtim të koalicionit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar pas takimit.

LDD-ja në Pejë ka emëruar për udhëheqëse të degës Besa Gaxherri, nënkryetare e deritashme degës dhe njëherësh nënkryetare e partisë.