Lunacek: Kosova Nuk po e Lufton sa Duhet Korrupsionin

Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, ajo është pyetur për ato që i përmban ky raport vjetor. Ajo thotë se Kosova nuk ka bërë progres të mjaftueshëm në 12 mujorin e fundit në ato që BE i kërkon nga një shtet aspirant. Prandaj edhe konkluzat e atij raporti janë si janë.

Jeta në Kosovë: Zonja Lunacek, si do ta përshkruanit Raportin e Progresit të këtij viti për Kosovën?

Lunacek: Do të thosha që ka progres në Kosovë në disa çështje, por ky progres nuk është i mjaftueshëm.

Jeta në Kosovë: Çka do të thotë që nuk është i mjaftueshëm?

Lunacek: Do të thotë që në shumë fusha ka ligje të mira, mirëpo zbatimi i tyre nuk është mjaftueshëm i mirë. Kur bie fjala te ato që janë arritur për shembull nga ana e qeverisë si në aspektin socio-ekonomik, në sistemin e arsimit, të shëndetësisë, këto arritje nuk janë ende mjaftueshëm të mira. Kjo nuk është ajo që ne duam për qytetarët e Kosovës, por e njëjta situatë është kur flasim për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Jeta në Kosovë:  Ju e përmendët korrupsionin që është një nga temat kyçe dhe nëse në dokumentin e Raportit të Progresit e kërkoni fjalën korrupsion, atëherë do të shihni që përmendet plot 66 herë përgjatë 69 faqeve të dokumentit. Si është e mundur kjo?

Lunacek: Ngase korrupsioni është një çështje problematike në Kosovë dhe nëse kërkoni edhe në raportet e progresit për vendet e regjionit do të hasni shumë shpesh në këtë fjalë. Korrupsioni nuk është problem unik i Kosovës, ngase e hasim edhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e besa edhe në vetë shtetin tim. Pra, mund të themi që kjo ndodh në një perspektivë shumë të gjerë, mirëpo është e vërtetë që institucionet e Kosovës dhe Qeveria e Kosovës nuk janë duke bërë sa duhet, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, e po ashtu sistemi i drejtësisë. Shumë shpesh ka raste kur aktakuza ngrihen ndaj njerëzve, por dënime nuk jepen. Pra, duhet bërë shumë më shumë përpjekje kundër korrupsionit, ngase kur ai luftohet që nga nivelet më të larta, ndikon po ashtu që njerëzit e zakonshëm të mësohen të thonë jo kur dikush u kërkon ryshfet. Ata duhet të shërbehen me shembuj të mirë nga të cilët mund të mësojnë.

Jeta në Kosovë:  Një lajm i madh aktual në Kosovë është pezullimi i marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Si mendoni që do të ndikojë kjo në sytë e evropianëve? A mendoni që do të ketë ende dialog në mes të këtyre dy vendeve?

Lunacek: Janë dy anë të kësaj çështjeje. Në njërën anë ky dialog po realizohet me qëllim që të përmirësohen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dhe ana krejt tjetër është mënyra se si marrëveshjet specifike të arritura po zbatohen nga secili vend. Ende ka shumë mangësi në zbatim. Sigurisht vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese do ta ndërpresë përgatitjen e statutit dhe materialeve të tjera së paku për momentin dhe diskutimi i tyre në parlament do të shtyhet së paku deri në mes të janarit. Unë e konsideroj këtë procedurë normale në secilin vend, ngase kur nuk jeni të sigurt për diçka, duhet shkuar të Gjykata Kushtetuese dhe mbetet të shihet se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, kjo nuk duhet të ndalojë zbatimin e gjërave të tjera. Serbia ende duhet të zbatojë shumë çështje, Kosova po ashtu ka shumë çështje, si kadastra për shembull, ku duhet të fokusohen përpjekjet e vendit tani.

Jeta në Kosovë: Kosova sapo ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, çfarë do të thotë kjo për qytetarët e zakonshëm të vendit?

Lunacek: Kjo është një çështje e rëndësishme, është hera e parë që Republika e Kosovës ka arritur raporte kontraktuale me BE-në, gjë që nuk ka ekzistuar më parë. Ky është hapi i parë drejt përafrimit, prandaj edhe është një lajm shumë i mirë. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit po ashtu do të thotë shumë për qytetarët e zakonshëm si pjesëmarrja e njerëzve në programe të ndryshme, shkëmbimi i tyre, programet e arsimit, të kërkimeve shkencore, pra me MSA-në njerëzit do të përfitojnë shumë. Kjo po ashtu do të thotë edhe më shumë mundësi për eksportim të prodhimeve të vendit, si për shembull verën, vera në Kosovë është përmirësuar shumë në vitet e fundit, pra prodhimet e Kosovës do të kenë qasje më të lehtë në BE, pra më shumë qasje të qytetarëve të Kosovës në BE.

Jeta në Kosovë: A është ky një hap më afër liberalizimit të vizave?

Lunacek:
Po, Komisioni Evropian është duke e përgatitur raportin për liberalizimin e vizave që do të publikohet në dhjetor. Megjithëse Kosova ka përmbushur tashmë pjesën më të madhe të kërkesave, megjithatë ende ka disa gjëra që mungojnë, mirëpo ka pasur progres në këtë fushë dhe unë mund vetëm të shpresoj dhe të them që nëse Qeveria e Kosovës përmbush të gjitha këto kërkesa, Komisioni do të thotë po dhe do t’u propozojë vendeve anëtarë dhënien e dritës së gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën në vitin tjetër. Pra, siç e thashë, edhe nëse Kosova përmbush të gjitha kërkesat dhe Komisioni jep dritën e gjelbër, janë ministrat e punëve të brendshme ata që po ashtu duhet të thonë po, duke pasur parasysh numrin e lartë të refugjatëve që po vijnë në vendin tonë, por kjo nuk ka asgjë të bëjë me Kosovën, ngase fatmirësisht tani gati nuk ka fare azilkërkues nga Kosova. Megjithatë, ende duhet bërë përpjekje për t’i bindur ministrat e punëve të brendshme që të thonë po, prandaj është shumë e rëndësishme që anëtarët e Qeverisë së Kosovës dhe deputetët e Parlamentit të Kosovës të takohen me ta, e po ashtu edhe diplomacia e Kosovës me të vërtetë duhet të flasë me këta ministra dhe me anëtarët e parlamenteve të vendeve anëtare. Rezultati final i kësaj pune do të ishte fakti që qytetarët e Kosovës do të ishin të lirë të udhëtojnë më në fund.

Jeta në Kosovë: A janë duke e bërë këtë tani institucionet e Kosovës?

Lunacek: Mendoj që gjithmonë mund të bëhet më shumë, por tani më shumë bëhet fjalë për zbatimin e këtyre kërkesave dhe tani në proces e sipër duhet punuar me ministrat e punëve të brendshme dhe parlamentet e vendeve të ndryshme dhe t’u shpjegohet atyre sa e rëndësishme duhet punuar me ministrat e punëve të brendshme dhe parlamentet e vendeve të ndryshme dhe t’u shpjegohet atyre sa e rëndësishme është për qytetarët e Kosovës ndjesia për mundësinë që të udhëtojnë lirshëm. Ne të gjithë kemi jetuar nëpër shtete ku ka pasur vende që kemi dashur të vizitojmë, por kurrë nuk kemi mundur të shkojmë aty. Prandaj, disa nga ne ende e kuptojnë dhe kujtojnë se si ka qenë të mos mund të udhëtosh. Pra, mendoj që përdorimi i këtyre argumenteve do t’u ndihmojë edhe të bindni ministrat e punëve të brendshme që t’ua japin dritën e gjelbër.