Mësimet e Afrikës së Jugut për Energjinë

Në Durban të Afrikës së Jugut, këtë javë, po zhvillohet konferenca masive e Kombeve të Bashkuara për ndryshime klimatike.

Pyetja që shtrohet është se a ka çka të mësojë Kosova prej një konference, ku janë mbledhur me mijëra delegatë, nga 194 vende të botës, që të diskutojnë se çka mund të bëhet lidhur me ngrohjen globale.

Problemi është që në këtë listë të 194 vendeve të botës që janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara, ne, kur një ditë të bëhemi anëtarë të kësaj organizate, do të ishim nga fundi i listës si vendi me njërin ndër ambientet më të ndotura në botë, për shkak të prodhimit të energjisë nga burime “ndotëse”, ashtu siç quhet qymyri.

Po na thuhet që “Kosova e Re” do ta zgjidhë këtë problem me ndërtimin e një termoelektrane të re dhe me mbylljen e “Kosova A”, mirëpo, edhe Shoqata Botërore e Qymyrit që mbajti një tryezë në Durban më 5 dhjetor, e pranoi që teknologjia e re që po zhvillohet për “të kapur” dhe për ta asgjësuar CO2-shin që lirohet prej djegies së qymyrit, është duke shkuar tepër ngadalë. Dhe ende asnjë elektranë e qymyrit nuk është ndërtuar në botë që e konfirmon që kjo teknologji funksionon. Me fjalë tjera, edhe me teknologjinë më të re në botë, momentalisht nuk ka mundësi të digjet qymyr, e të mos ndotet ambienti.

Sa më shpejt që e kuptojmë këtë në Kosovë, aq më pak do ta gënjejmë veten dhe publikun, dhe aq më mirë do të jemi të përgatitur për vendimet që do të ndërmerren vitin që vjen lidhur me (mos)ndërtimin e një termoelektrane të re të qymyrit, të cilën do t’ua lëmë “jadec” gjeneratave që vijnë.

Mirëpo, a do t’i marrim këto vendime ne vetë, apo do t’i marrin vendimet të huajt në emër tonin?

Roli i Bankës Botërore – Afrika e Jugut dhe Kosova

Gjatë konferencës në Durban u bë publik lajmi që Banka Botërore (BB), ka dështuar në zbatimin e politikave të veta ambientale me vendimin që e ka marrë për ta aprovuar kredinë prej 3 bilionë eurosh për të ndërtuar njërën prej termocentraleve më të mëdha në botë prej qymyri, termocentralin ESKOM në Limpopo, në krahinën veriore të Afrikës së Jugut.

Këtë vlerësim ia kishte dhanë bankës paneli inspektues,  një organ i pavarur brenda Bankës Botërore. Raporti i tyre për termo-elektranën  në Afrikë të Jugut u botua nga gazeta ClimateWire dhe mund të gjendet këtu (Shih dokumentin këtu).

Në prill të vitit 2010 Banka Botërore kishte vendosur ta përkrahë ndërtimin e termoelektranës 4800 megavatëshe dhe shumë kontroverse.

Ky vendim ishte aq kontrovers, sa madje as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishin votuar për ta dhënë këtë kredi, kur erdhi puna që anëtarët e BB-së të japin votën. Me një administratë të Obamës që ishte më progresive se të gjitha tjerat në agjendën ambientaliste, ishte vështirë që në shtëpinë tënde të flasësh për ajër të pastër, e në anën tjetër ta ngresh dorën që t’ua ndotësh ajrin afrikanëve të gjorë. Megjithatë, as abstenimi i SHBA-së nuk kishte mundur ta bllokojë kredinë.

Ky raport i sapodalë i panelit inspektues, për projektin e Afrikës së Jugut, është me rëndësi për kosovarët, sepse termoelektrana e qymyrit në Afrikë është përvoja e fundit që BB e ka me përkrahjen e projekteve të qymyrit në botë. E nëse kanë dështuar atje që t’i aplikojnë standardet e veta, atëherë, kush na garanton që s’do të dështojnë edhe në Kosovë në projektin e “Kosovës së Re”, të cilin BB e shtyn me mish e me shpirt, madje edhe ma shumë se qeveria jonë.

Pas një vit e gjysmë sa ka zgjatur hetimi i panelit inspektues të BB-së për projektin afrikan, është arritur konkludimi që banka nuk e ka marrë parasysh sa duhet faktorin e dëmit që shkakton elektrana në shëndetin e njeriut dhe mungesën së ujit në atë rajon.

Më saktësisht, paneli inspektues e kritikon BB-në që kur e kanë analizuar shfrytëzimin e ujit që do të duhej për termoelektranën e re, nuk e kanë llogaritur se çfarë ndikimi do të ketë shfrytëzimi i një resursi të tillë në jetët e njerëzve të cilëve ai ujë iu duhet për punë të tjera.

Argumenti tjetër, për çka BB-ja kritikohet prej inspektorëve, është se zgjerimi i minierës që ka qenë i nevojshëm për furnizimin e termoelektranës ka shkaktuar probleme të theksuara të ndotjes – gjithashtu argument të cilin BB-ja nuk e ka marrë parasysh kur ka marrë yrysh të përkrahë projektin në Afrikën e Jugut.

Dhe e treta, që t’i vihet kapak, inspektorët kanë gjetur “shumë mangësi” në vlerësimin që i ka bërë banka problemeve që do të krijohen si pasojë e kualitetit të dobët të ajrit prej termoelektranës.

Banka Botërore është duke treguar tendenca të ngjashme të mospërfilljes së faktorëve shëndetësorë, ambiental e shfrytëzimit të resurseve ujore edhe në planifikimin e ndërtimit të elektranës “Kosova e Re”.
 
Përderisa në Afrikën e Jugut, kjo termoelektranë që tash po konfirmohet të jetë problematike, ndonëse është ndërtuar në një vend ku jetojnë shumë pak njerëz, në vendin tonë BB do të na “përkrahë” ndërtimin e termoelektranës së re, mu te hunda jonë, 10 km prej kryeqytetit, vendit më të populluar në Kosovë.  

Kur në një takim që kishte me shoqërinë civile të tërë botës, shefit të Bankës Botërore, Robert Zeliht, në shtator në Washington, ia parashtrova pyetjen pse po donte që edhe në Kosovë të ndërtonte një termoelektranë me qymyr, kur banka ka dështuar me një projekt të ngjashëm në Afrikën e Jugut, ai tha me fjali të shkurta se këtë po e bëjnë se duhet disi me iu sjell rrymë të varfërve dhe se kjo do ta zhvillonte Kosovën.

Në këtë konferencë në Durban takova përfaqësues të komuniteteve të varfra në Afrikën e Jugut, të cilët po thonë jo që ky projekt nuk u ka sjell rrymë të varfërve, por mëhalla të tëra është dashur të shkëputen nga rrjeti i rrymës, sepse faturat e rrymës të shtëpive të afrikanëve të thjeshtë, kanë filluar të fryhen aq sa konsumatori ka filluar ta paguajë tarifën për kredinë e hatashme që e ka marrë shteti nga Banka Botërore dhe në pamundësi që ta kthejë tjetërqysh, shteti ua ka faturuar qytetarëve të vet koston e ndërtimit të termoelektranës së re. Tarifa e rrymës e konsumatorëve të thjeshtë është rritur aq shumë sa të varfrit edhe më shumë se para ndërtimit të elektranës së re, s’po mund ta paguajnë rrymën. Mirëpo, në këtë matematikë me rëndësi është që rrymën me çmim të volitshëm e shumë më të lirë se konsumatori i thjeshtë, po e paguajnë vetëm kompanitë e mëdha në Afrikën e Jugut, kompani si ato të tipit të “Ferronikelit” në Kosovë.

Prandaj, argumenti i Zeliktit që banka është duke i ndihmuar të varfrit me këto projekte të termoelektranave të qymyrit nuk qëndron. Me këtë termoelektranë kanë me u zhvillu ferronikelat e ardhshëm, e jo qytetari i thjeshtë. E pyetini drenasasit se si është me jetu me një ndotës të tillë si fqinj.

Mundësitë e Energjisë së Ripërtritshme që Injorohen

Nëse BB dëshiron t’i ndihmojë të varfrit në Kosovë, përse nuk e ka asnjë projekt se si të sigurohet shfrytëzim më efikas i rrymës së tanishme në Kosovë, 40 % e së cilës nuk po faturohet?

Si arsyetohet fakti që në shumicën e vendeve të rajonit BB ka projekte për të inkurajuar efikasitetin e energjisë, e në Kosovë asnjë? A po i dukemi ne BB vrimë e zezë e njerëz që s’meritojmë rrymë të pastër, a çka është puna?

Nuk duhet të jesh ekspert i energjisë për të hyrë në faqen e internetit të BB dhe të analizosh se si në Serbi ka Projekt për Efiqiencë të Energjisë që e ka filluar qysh më 2004, në Mal të Zi e ka atë që quhet Skema e Investimeve të Gjelbra, e në Maqedoni e ka projektin që ka për qëllim zhvillimin e tregut për energji efiqiente dhe energji alternative të filluar më 2006e në Kosovë, plan për me na djeg qymyrin sa më shpejt që është e mundur, mundësisht para se që bëhemi gati për të hyrë në BE.
 
Në vendin që ka më së shumti probleme me humbjen e energjisë, a thua kurrkujt prej mendjeve ekonomike që punojnë me Bankën Botërore nuk i ka rastisur që Kosova ka nevojë ma së pari për projekte që e zbusin problemin e 40% të rrymës që po avullohet, e jo të bëhen plane qysh t’i nxihen mushkëri edhe 2-3 gjeneratave të ardhshme në Kosovë. A s’duhet që gjeneratave të reja t’ua mundësojmë që të thithin ajër ma të pastër se atë që po e thithim ne?

Nuk duhet të jesh ekspert për të konkluduar që BB-ja, jo që s’di, por s’do t’i dëgjojë as njerëzit me të cilët punon çdo ditë që po thonë që Kosova, megjithatë, ka potencial të prodhojë energji të pastër.

Është pak paradoksale por, mua vetë nuk më është dashur shumë hulumtim, kur gjatë punës në filmin dokumentar “Mbretëria e Qymyrit” kuptova që në fakt njerëzit që e konfirmojnë që Kosova ka potencial me prodhu energji të pastër me erë janë pikërisht ekspertët e Qeverisë së Kosovës që po angazhohen rreth projektit të qymyrit “Kosova e Re”. Ata madje, nëse dikush është i interesuar, (dikush si BB për shembull), kanë bërë harta ku shihet që Rajoni i Dukagjinit vlerësohet të jetë potencialisht i përshtatshëm për mullinj të erës që do të prodhonin rrymë. E nëse i pyetni edhe më thellë do ta kuptoni që ata e kanë nuhatur që energjia e ripërtritshme nuk është luks dhe mision, por është mundësi fenomenale për biznes, sepse me projekte të vogla hapin vende të reja të punës dhe në planin afatgjatë kushtojnë më pak me i mbajt në krahasim me elektranat.

Njëri prej këtyre personave është mu para hundëve të Bankës Botërore, emrin e ka Lorik Haxhiu, menaxher i projektit “Kosova e Re” qe 6 vjet. Njëkohësisht, së fundi, është edhe themelues i Shoqatës për Energji të Ripërtërishme  e Kosovës. Nëse Kosova s’paska kurrfarë potenciali për energji të ripërtërishme, çka qenkan duke bërë ekspertët e Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë mbijetuar në qeveri më shumë se vetë ministrat e energjisë? Ndoshta ata dinë diçka që po refuzojnë të dinë BB-ja dhe zërat e tjerë cinikë që po thonë, ende pa u kryer hulumtimet, që Kosova qenka rast unik dhe që s’paska kurrfarë potenciali për energji të ripërtërishme.

Nëse Banka s’po i besuaka shoqërisë civile, qe ku e ka burimin “e besueshëm” për të filluar ta trajtojë Kosovën, së paku si vendet e tjera të rajonit, e mos me na e shitë foren që e gjithë kjo shtytje për “Kosovën e Re” qenka për “me i ndihmu të varfërit e Kosovës dhe me e zhvillu Kosovën”. Këto s’i kanë hangër në Afrikën e Jugut, e s’ishte dashur me i hangër as ne në Kosovë.
 
Derisa po e shkruaj këtë artikull, nëpër zyrat e rregullatorëve të Kosovës, po endet kërkesa e investitorëve për ndërtimin e gjeneratorëve të erës, dhe në të njëjtën kohë tre të tillë të ndërtuar në kodrën e Goleshit nuk po lejohen të prodhojnë energji, përkundër marrjes së të gjitha lejeve për punë.

Energjia alternative e efiçenca nuk janë sakrificë, janë mundësi punësimi edhe më e madhe se ndërtimi i një termocentrali i cili përveç që është i dëmshëm për shëndetin, është një kuti e automatizuar që në fakt nuk krijon vende të reja pune, por i zvogëlon ato.

Shkarko dokumentin e plotë.