KEK’u Vështirëson Frymëmarrjen

Smajl Mustafës, punëtor në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka disa ditë që kur i dhemb gjoksi e pështyn zi.

Ai mezi merr frymë tek ngjitet shkallëve të Institutit të Mjekësisë së Punës në Obiliq ku ka shkuar për të bërë kontroll.

Mustafa është vetëm njëri nga shumë punëtorët e KEK’ut që kanë probleme serioze shëndetësore me traktin e frymëmarrjes. Sëmundja thotë se i ka ardhur pikërisht nga kushtet e rënda në vendin e punës, si dhe mungesës së mjeteve elementare mbrojtëse.

“Pluhur ka shumë dhe gazra”, thotë ai.

Punëtorët e korporatës konsiderohen kategoria më e rrezikuar sa i përket sëmundjeve respiratore në vend. Kjo është pasojë e përdorimit të linjitit si burim për prodhimin e energjisë elektrike.

Linjiti, lëshon shumë pluhur e gazra, të cilat pos për punëtorët e KEK’ut, paraqesin rrezik potencial edhe për banorët e tjerë të Obiliqit dhe rrethinës.

Termocentrali Kosova B ka filluar punën në vitin 1982. Prej asaj kohe, e deri tash, nuk ka asnjë përmirësim të gjendjes së ambientit. Gjithmonë ka pasur përkeqësim, kurse rastet e sëmundjes së punëtorëve të KEK’ut vazhdimisht janë në rritje.

Xhevat Pllana, drejtor i Institutit të Mjekësisë së Punës në Obiliq, thotë se rreth 30 për qind të punëtorëve të KEK’ut vuajnë nga sëmundjet respiratore.

Edhe Fushë Kosova e Prishtina kanë problemin e përafërt. Një krahasim që është bërë ka treguar se sëmundjet respiratore në vendet tjera afër ambientit të elektranave janë 25 për qind prezente, pesë më pak se në Obiliq. 

Në KEK nuk e marrin edhe me aq shqetësim faktin që sëmundjet e traktit respirator prekin tej mase punëtorët e koorporatës. “Jo vetëm minierat e KEK’ut po në secilën minierë në botë punëtorët janë të rrezikuar nga sëmundjet respiratore. Këtë e determinojnë kushtet natyrore që janë në miniera”, thotë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK’ut.

Edhe në terren mbrojtja e punëtorëve nuk është nuk është më e mirë.

Derisa punëtori Nexhmedin Govori mbikëqyrte shiritat që bartnin thëngjill për elektranë, ai mbyllte shpesh gojën me dorë. “Pluhur ka sa te dush, s’mundesh me i ikë…”, th ai.

Zëdhënësi Viktor Buzhala thotë se punëtorëve u kanë siguruar veshjet adekuate dhe pajisjet e tjera mbështetëse të sigurisë. “Nëse dëshirojnë mund të kenë edhe maska dhe gjëra tjera”, thotë ai.

Gazrat e liruara nga Termocentralet me qymyr shkaktojnë në atmosferë reaksione kimike si dioksidi i sulfurit. Jonathan Bounocore, profesor i Universitetit të Harvardit, thotë se këto grimca mund të udhëtojnë deri ne 100 kilometra larg dhe nëse thithen nga njerëzit, atëherë kjo shkakton shtypje të lartë të gjakut, reduktohet funksionaliteti i mushkërive dhe paraqiten sëmundje si astma dhe mund të ketë edhe efekt negativ edhe tek sistemi nervor.

Në anën tjetër, shtete si Kanada, kanë parë se është në interes ekonomik për të ndërprerë punën me thëngjill, si burim i energjisë, për të zbuluar ndonjë alternativë tjetër.

Profesori i Universitetit të Virginias, Michael Hendrix, u sugjeron edhe kosovarëve që të mendojnë për energji alternative. Kjo për arsye se pasojat e përdorimit të thëngjillit janë shpeshherë fatale.

Në çmimin e investimeve, duhet bërë llogari edhe koston shëndetësore që do ta paguaj Kosova për dëmin që e shkakton qymyri përmes ndotjes se ajrit e ujit. Sipas Hendrix, energjia alternative del më lirë në planin afatgjatë sesa energjia e gjeneruar nga qymyri. Kjo, duke u bazuar në shkallën e vdekshmërisë.

Mosfunksionimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor, bën që në Kosovë të mos ketë të dhëna të sakta për sëmundjet që vijnë edhe nga përdorimi i thëngjillit si burim energjie.

Ilirjana Bajraktari, nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, duke u referuar në të dhënat e Klinikës së Pulmologjisë si dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), thotë se në komunën e Obiliqit dhe Prishtinës, sa i përket kancerit të mushkërive incidenca është më e lartë.

Ekziston një indikacion se një nga shkaqet e kësaj incidence mund të jetë ndotja e ambientit si pasojë e përdorimit të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike.